Tërheqja e ambasadorit bullgar nga RMV, Osmani: Sofja iu dorëzua provokimeve
Me tërheqjen e ambasadorit bullgar nga RMV....

Me tërheqjen e ambasadorit bullgar nga RMV, Sofja zyrtare i është dorëzuar provokimeve që janë në kundërshtim me përpjekjet për zhvillim pozitiv.
Kështu u shpreh ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, në seancën për pyetje deputetësh ku tha se MPJ me kujdes po përcjell zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Ai e vlerësoi aktin si të pabazuar, joproporcional dhe të pambështetur me argumente të vlefshme.
“MPJ me vëmendje i ndjek deklaratat dhe aktivitetet që vijnë nga Republika e Bullgarisë dhe me keqardhje konstaton se aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në përputhje me praktikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella, përkundrazi paraqet përkulje ndaj provokimeve të atyre që duan t’i shkatërrojnë përpjekjet e të dyja qeverive për zhvillim stabil dhe pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve.”, - deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Millkov: Bullgaria merr në konsideratë veton ndaj RMV-së
Përveç tërheqjes së ambasadorit Angelov dhe njoftimit për ngrirjen e projekteve të përbashkëta, njeriu i parë i MPJ-së bullgare Millkov kërcënoi se vetoja e Maqedonisë do të diskutohet kur të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE dhe se do të përdorin të gjithë mekanizmat brenda BE-së.
“Bisedimet për anëtarësim ende as nuk kanë filluar që ne të vendosim veto ndaj Maqedonisë së Veriut. Në atë drejtim propozimi francez, gjegjësisht propozimi evropian nuk parashikon nisjen e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut para se bullgarët të inkorporohen në Kushtetutë: kjo është edhe suksesi ynë, që arritëm këtë çështje ta vendosim në rend dite në agjendën evropiane.”, - theksoi ministri i punëve të jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov.
Mickoski: Qeveria u tregua e dobët ndaj kërkesave bullgare
Ndaj kësaj çështjeje ka reaguar kryetari i VMRO-DPMNE-së, duke thënë se ai një kohë të gjatë ka paralajmëruar se punët nuk po shkojnë në drejtim të mirë. Shqetësuese sipas Mickovskit është se qeveria është treguar e dobët para çdo kërkese të palës bullgare.
“Pavarësisht gjithçkaje që iu kërkua, praktikisht u dorëzua, nënshkroi, në interes të ruajtjes së karrigeve të saj personale. Shohim që pala tjetër edhe përskaj të gjithë kësaj hyn në një konflikt të ashtuquajtur që do ta vinte në nivelin e një lufte të ftohtë, sepse me sa kuptoj ambasadori i fqinjit tonë lindor nuk është më në këtë vend, domethënë e kanë mbajtur atje dhe nuk ka ardhur këtu ku duhet të ushtrojë pozitën e tij si ambasador dhe autoritetet në Sofje e arsyetojnë këtë si revoltë për shkak të ngjarjes që ndodhi në Ohër.”, - u shpreh Hristijan Mickovski nga VMRO-DPMNE.
Në vigjilje të shënimit të ditëlindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, nga MPB janë paralajmëruar masa të shtuara të sigurisë që të parandalohen provokime të mundshme. (Ersan Pajaziti, TVM2)
