Maqedoni

Millkov me kërkesë ndaj Shkupit për 4 shkurt: Garantojuni qasje të sigurt bullgarëve

27.01.2023 16:20

Vazhdojnë marrëdhëniet e brishta diplomatike mes Shkupit dhe Sofjes...

Vazhdojnë marrëdhëniet e brishta diplomatike mes Shkupit dhe Sofjes. Ministri i jashtëm bullgar, Nikollaj Millkov përmes një bisede telefonike të paralajmëruar me kryeministrin Kovaçevski, si dhe me notë diplomatike, do të kërkojë që qytetarët bullgar të kalojnë të sigurt më 4 shkurt në ditën e shënimit të ditëlindjes së Goce Dellçevit.

Shefi i diplomacisë bullgare e quan precedencë nëse Shkupi nuk do t’ju lejojë bullgarëve qasje të lirë në këtë përkujtim historik. Potencon se ambasadori bullgar në Shkup, nuk do të kthehet pa u sqaruar disa punë që Sofja u quan serioze.

“Një nga elementet kryesore do të jetë garantimi i sigurisë të qytetarëve bullgar në përgjithësi, si dhe ajo çka do të ndodh më 4 shkurt. Nëse Maqedonia e Veriut  pengon qasjen e  e qytetarëve bullgar,  kjo do të ishte e paprecedentë  dhe do të kërkojë përgjigje të  paprecedentë.  Qytetarët bullgar dhe ata që ndjehen bullgarë nuk kanë besim në institucionet e RMV-së. Vërejtjet e tyre nuk shqyrtohen dhe po që se shqyrtohen marrin rezultate negative.”, - deklaroi ministri i jashtëm i Bullgarisë, Nikollaj Millkov.

Pendarovski: Provokimet bullgare pengojnë integrimin

Presidenti i vendit Pendarovski, kërkon që të mos ngarkohet procesi integrues i vendit me sulme  dhe provokime ndaj identitetit maqedonas nga fqinji lindor. Thotë se situata mund të ndikojë në proceset e brendshme politike, sidomos në vendimet që duhet të merren në raport me BE-në.

“Ndryshimet kushtetuese duhet së shpejti të jenë në agjendën e brendshme dhe në këtë kontekst na duhet atmosferë në të cilën të gjitha forcat evropiane do të mund të bashkohen dhe të tregojnë rezultat. Ky proces nuk do të jetë i lehtë dhe secili provokim i mëtutjeshëm apo sulm mbi identitetin tonë vetëm çka do ta rëndojë  procesin edhe më tepër. Me fjalë të tjera, nevojitet ambient stabil dhe parashikim  i rrugës evropiane. Nuk mund të harrojmë  atë se integrimet evropiane për ne nuk nënkuptojnë vetëm fqinjësi të mirë, por edhe progres ekonomik, reforma serioze dhe reale dhe jo luftë retorike kundër korrupsionit të lartë.”, - theksoi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Parlamenti evropian: Deklaratat e Xhambaskit s’paraqesin vlerat tona

Ndërkohë Parlamenti Evropian distancohet nga deklaratat e eurodeputetit Xhambaski. Nga legjislativi evropian thonë se qëndrimet e tij nuk paraqesin vlera të BE-së.

Deklaratat e eurodeputetit Angell Xhambaski janë në kundërshtim me parimet themelore të BE-së dhe marrëveshjen mbi raportet e mira fqinjësore  mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Jemi të bindur se organet e sigurisë  në Maqedoninë e Veriut do të bëjnë çmos që të ruhet paqja, stabiliteti dhe rendi publik.”

Shkupi dhe Sofja ndryshuan vijën e raporteve pas incidentit në Ohër, kur ishte sulmuar fizikisht sekretari i klubit bullgar, si dhe pas disa deklaratave të politikanëve bullgar për pretendime territoriale, por edhe aludime për atentat ndaj presidentit, Stevo Pendarovski. (Nermin Mulaki Fejzullahi, TVM2)