Maqedoni

Marrëdhëniet Shkup-Sofje, VMRO: Jemi në situatë të një lufte të ftohtë

27.01.2023 16:42

VMRO-DPMNE kërkon sqarim nga qeveria dhe presidenti i Republikës se si kanë lejuar...

VMRO-DPMNE kërkon sqarim nga qeveria dhe presidenti i Republikës se si kanë lejuar që një incident në Ohër të luhatën marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje.
 
Konsiderojnë se institucionet duhet të marrin masa paraprake dhe të shpallin “persona non grata” zyrtarë bullgarë, që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe kanë kërcënuar autoritet vendore. Sipas opozitës maqedonase kjo situatë është pasojë e qasjes servile dhe të pavendosur të qeverisë.  
 
“Me të vërtetë është një dështim dhe debakël i rëndë që pas gjithë asaj që ka pranuar dhe nënshkruar Qeveria, sot, të vijmë në situatë të një lufte të ftohtë, në kuptim të ftohjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. Kjo ndodh kur njëra palë është pa strategji dhe shumë lehtë realizon gjithçka që kërkon pala tjetër. Si ndodhi që një incident në Ohër, institucionet të lejojnë që të shndërrohet në incident dhe kontest ndërshtetëror?!”, - deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
   
Taravari: Jo tensione, të zbatojmë marrëveshjen
 
Edhe kreu i ASh-së, Arben Taravari ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e re në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes. Taravari, ka bërë thirrje të veprohet me maturi dhe të qetësohen tensionet në marrëdhëniet dypalëshe. Përmes një postimi në Tuiter, Taravari u bën thirrje institucioneve të RMV-së që të përmbahen nga deklaratat që çojnë në tensione të mëtejshme.
 
“I shqetësuar për rritjen e tensioneve politike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, u bëj thirrje institucioneve tona që të përmbahen nga deklaratat që çojnë në tensione të mëtejshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të kontribuar në zbatimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe integrimin evropian të vendit.”, ka shkruar Taravari.
 
Marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan një plasaritje pas incidentit në Ohër ku u sulmua fizikisht shtetasi bullgar, Hristijan Pendikov. Për këtë arsye Bulgaria vendosi të tërheq përkohësisht ambasadorin e saj nga Shkupi. 
 
SHPËTIM NUREDINI