Ndërtimet pa leje në Ohër, kërcënim i madh për t’u ruajtur statusi i UNESCO-s
Ndërtimet pa leje ne bregun e liqenit të Ohrit.....

Ndërtimet pa leje ne bregun e liqenit të Ohrit janë duke u bërë kërcënimi më i madh për vlerat e jashtëzakonshme universale që posedon rajoni i Ohrit dhe ruajtjes së statusit të UNESCO-s. Pikërisht për këtë UNESCO insiston që sa më shpejtë objektet pa leje të jenë prioritet për institucionet përkatëse.
Përfaqësuesit e BE-së në vendin tonë thonë se zgjidhja e çështjes së ndërtimeve pa leje është e rëndësishme jo vetëm për ruajtjen e statusit në UNESCO, por edhe për shtetin e së drejtës.
“Ndërtimet pa leje duhet të ndalen menjëherë, sepse paraqet shkelje të shtetit ligjor, sidomos në një zonë që shquhet për bukuritë e saj natyrore dhe ndërtimet pa leje janë një kërcënim dhe këtë e përsërit vazhdimisht UNESCO. Është një çështje që duhet ta zgjidhin gjykatat, prokuroria, pushteti qendror dhe vendor.”, - deklaroi ambasadori i BE-së, David Geer.
Është shqetësues fakti se miratimi i planit të detajuar urbanistik për bregun e liqenit është vonuar dhe sipas ekspertëve kjo mund të jetë e qëllimshme nga disa individë ose grupe të caktuara. Kjo vonesë ndikon negativisht në zgjidhjen e këtij problemi dhe u mundëson disa investitorëve të vazhdojnë ndërtimin në zonat e mbrojtura.
“Me miratimin e këtyre dokumenteve strategjike, vetëm atëherë do të mund të trajtohen objektet e ndërtuara pa leje, sepse do të saktësohet ndikimi i tyre në mjedis. E gjithë kjo po vonohet, sepse ka ende disa paqartësi ligjore dhe moskoordinim ndërmjet vetë institucioneve dhe kështu disa investitorë po e përdorin atë vakum për të përmbushur disa nga dëshirat dhe kërkesat e tyre.”, - theksoi inxhinieri i mjedisit, Gjoko Zoroski.
Për vetëm disa muaj UNESCO do të vendosë nëse rajoni i Ohrit do të ruajë statusin aktual apo do të jetë në listën e zonave të rrezikuara. Duhet të merren menjëherë masa, sepse sipas ekspertëve deri më tani kemi treguar shumë herë se preferojmë të diskutojmë apo miratojmë dokumente sesa të zbatojmë në terren. (Ilmie Zhaku, TVM2)
