Nisma për amnisti të të dënuarve të 27 prillit, LSDM: Nuk duhet të ketë amnisti për dhunën

27.01.2023 20:41

Një pjesë e deputetëve taktizojnë....

Një pjesë e deputetëve taktizojnë, thonë se fillimisht do ta shohin nismën për Ligjin e ri për amnisti për të dënuarit nga ngjarjet parlamentare të 27 prillit, e më pas do të shprehin qëndrimin e tyre. Të hënën në Kuvend janë paralajmëruar takimet e ekipit të avokatëve me grupet parlamentare.

LSDM nuk jep mbështetje. Nga partia në pushtet thonë se nuk duhet të ketë amnisti për dhunën.

“Çfarë porosie do të jepte amnistia? A do të thotë kjo se po hapet një mundësi që në të ardhmen politikanë dhe struktura partiake të caktuara përsëri të ndërmarrin aktivitete të tilla. Prandaj edhe njëherë po përsëris, ne jemi kundër çdo lloj amnistie të të dhunuesve të 27 prillit.”, - deklaroi Daniella Nikollova nga LSDM.

Mickovski: Rasti të kthehet në shkallë të parë

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickovski, tha se Gjykata Supreme duhet të marrë vendim sa më shpejt, me të cilin rasti do të kthehet në zgjidhje të shkallës së parë, sepse sipas tij, të akuzuarit nuk ishin terroristë.

“Ata njerëz edhe në gjykim, ja Jane Çento do ta thotë atë në fjalët përfundimtare. Unë nuk kërkojë mëshirë, unë kërkojë drejtësi, të gjykohem për atë që jam i akuzuar.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hrstijan Mickovski.

Trajanov: Nisma duhet të debatohet

Pavle Trajanov mendon se nisma duhet të debatohet në Kuvend. Ai është përkrahës i drejtësisë jo selektive për të gjithë ata që janë të përfshirë në ngjarjet parlamentare.

“Disa prej tyre që ishin drejtpërdrejtë të involvuar, sidomos me hapjen e dyerve të Kuvendit në njëfarë mënyre u amnistuan për shkak se votuan për ndryshime kushtetuese. Mendoj se qasja selektive duhet të tejkalohet dhe është mirë që tani të hapet një debat, pasi ende vendimet finale nuk i dimë, duhet bërë një analizë e përgjithshme.”, - u shpreh kryetari i LD-së, Pavle Trajanov.

Mitrovski: Nisma duhet të përkrahet

Avokati Mitrovski, i cili është pjesë e ekipit që përgatiti iniciativën, pret që të dalë në dritë mbështetja për drejtësinë.

“Dhashtë Zoti që të votohet ky ligj për amnisti, kjo në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë apo do t’i parandalojë që t’i realizojnë të drejtat e njerëzve përmes masës së jashtëzakonshme juridike, që ende nuk është vendosur  për një grup të njerëzve në Gjykatën Supreme.”, - theksoi avokati i të dënuarve, Janaki Mitrovski.

Projektligji parashikon amnisti të plotë për të dënuarit me burgim deri në 10 vjet dhe përgjysmim të dënimeve të personave të dënuar me burgim mbi dhjetë vjet. (Ersan Pajaziti, TVM2)