Botë

Kievi: Rusia po përgatitet për sulmin e madh në përvjetorin e luftës

28.01.2023 12:19

Prej javësh analistët kanë dhënë alarmin, por tashmë edhe në Kiev autoritetet ukrainas pohojnë se Rusia...

Prej javësh analistët kanë dhënë alarmin, por tashmë edhe në Kiev autoritetet ukrainas pohojnë se Rusia po përgatit një ofensivë të re, me synimin e përmbysjes së rezultateve në fushëbetejë deri më tani.
 
Sipas analizave që burojnë edhe nga të dhënat e shërbimeve inteligjente, fushata e re mund të fillojë për pak javë, në shkurt ose në mars, me shumë mundësi duke nisur nga Luhansku, me objektivin e thyerjes se linjës mbrojtëse ukrainase në qytete si Bakhmut por edhe pushtimin  e pikave të tjera strategjike si Kramatorsk dhe Sloviansk, dhe ndoshta edhe kundërpërgjigja në qytete si Lyman dhe Izium që u morën serish nga Kievi gjatë verës.
 
Sipas Oleksii Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë kombëtare ukrainase, Kremlini mund të ketë caktuar një datë simbolike për fillimin e operacioneve, pikërisht ai 24 shkurt që përkon me fillimin  e asaj që cilëson ende si “operacion special”, i nisur një vit më parë .
 
Arsyeja për një vendim të tillë nuk është e vështirë për ta kuptuar. Kremlini dëshiron të tentojë një përmbysje para se të mbërrijnë pjesa më e madhe e ndihmave perëndimore ndaj Kievit, në veçanti rreth 300 tanket të tipit Leopard dhe Abrams si dhe sistemet e tjera kundërajrore. Gjeneralët rusë mendojnë që kjo hapësirë kohore mund të jetë e fundit e mundshme për të kontrolluar sa më shumë territore,  duke rrënuar edhe moralin e kundërshtarit.
 
Armatimet nuk i mungojnë Moskës, që edhe në ditët e fundit ka sulmuar në mënyrë intensive me raketat e saj, ndërkohë që sipas një burimi të shërbimeve sekrete të Estonisë, forcat ruse kanë ende raketa për të paktën 4 muaj.
 
“Rusët para luftës kishin rreth 2500 raketa konvencionale. Kanë përdorur pak a shumë gjysmën. Mendojmë se ata mund të kenë raketa të mjaftueshme të paktën për katër muaj, ndërkohë që mund të jenë edhe 9 muaj, sepse nga analizat në terren është parë që Moska po ndërton raketa të reja, rreth 65 vetëm në 6 muajt e fundit, dhe kjo do të thotë se dikush e furnizon me materiale ose i kanë blerë ato para fushatës”, është mendimi i kolonelit Margo Grosberg, kreu i shërbimeve ushtarake të Tallin.