Maqedoni
ITKSH, bashkëpunim me universitetet gjermane për avancim të shkencës
04.02.2015 14:23
Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë do të nis bashkëpunimin me institutet dhe universitet gjermane me qëllim avancimin e shkencës në vend...

Një nismë e tillë bëhet e ditur nga takimi që realizoi ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Kristine Althauzer, me drejtorin e institutit, Skender Hasanin. Ambasadorja Althauzer iu përgjigj pozitivisht kërkesës së drejtorit Hasani që ajo të jetë edhe koordinatore e bashkëpunimit.
“Kërkuam që ambasadorja e Gjermanisë të jetë një link që do të na lidhë me institucionet shkencore dhe universitare në Gjermani dhe ne hasëm në çështje pozitive në përgjigjen e saj që kjo do të jetë një link mes institutit tonë dhe institucioneve të tjera shkencore në Gjermani”- deklaroi drejtori i ITSHKSH-së, Skender Hasani.
“Ne biseduam për mbajtjen e konferencave dhe nëse është e mundur të sjellim njerëz nga Gjermania këtu në institut, të bashkëpunojmë gjithashtu edhe në fushën e librave shkollore. Ne kemi përvoja të ndryshme në Gjermani në këtë drejtim dhe po shqyrtojmë mundësinë se si do të mund ato eksperienca t’i sjellim këtu në shtetin tuaj”- tha ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Kristine Althauzer.
Ambasadorja gjermane ka theksuar nevojën edhe të afrimit të komuniteteve në Maqedoni nëpërmjet projekteve që do të realizoheshin në të ardhmen. Aktualisht në institut është duke u punuar në më shumë projekte, si konferenca shkencore, tubime, promovim të librave dhe mbajtjen e ekspozitave.
MERAL ISMAILI
