Ndërmarrja për transport publik në Tetovë kërkon ndihmë nga buxheti i komunës së Tetovës

30.01.2023 14:33

Ndërmarrja për Transport publik në Tetovë....

Ndërmarrja për Transport publik në Tetovë që nga themelimi dhe tani po funksionon me humbje dhe e njëjta po kërkon përsëri ndihmë nga buxheti i komunës  për të funksionuar.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se janë duke u analizuar mundësitë se si të përkrahet ndërmarrja, mundësia është të ndjekim rrugën e komunës së Shkupit si shembull për përkrahjen e Transportit publik.

“Si ndërmarrje komunale për transport publik është e njohur, që nuk mund të funksionoj pa përkrahje pa asistencë të komunës dhe në llogarinë përfundimtare të vitit 2022, është konstatuar që ndërmarrjes ka nevojë për përkrahje shtesë që të mund t’i mbuloj shpenzimet të cilat nuk mund ti mbuloj me të hyrat që i ka ndërmarrja.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Këshilli edhe vitin që lamë pas ndihmoi ndërmarrjen për Transport publik, por edhe përkundër ndihmës, ajo nuk ka arritur të gjeneroj mjete të mjaftueshme për bilanc pozitiv. Kreu i Komunës tha se në bazë të parashikimeve ndërmarrja në nivel vjetor do të ketë nevojë për subvencionim për 18 milion denar.

“Në bazë të llogarisë përfundimtare del që ndërmarrjes i munguan edhe 4 milion denarë për t’i përmbyllur të gjitha shpenzimet që ndërmarrja i ka bërë në vitin 2022. Dhe në bazë të parashikimeve  dhe program që e ka paraparë, për vitin 2023 vetëm do të duhet të përcaktojmë standardin. Ndërmarrja në nivel vjetor do të ketë nevojë për subvencionim  diku 18 milion denarë.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ndërmarrja për Transport publik ka të punësuar afërsisht 35 persona. Në gjendje të rëndë financiar vazhdon të jetë edhe ndërmarrja NPK - Tetova që diskutohet për themelimin e dy ndërmarrjeve të reja, njëra që do të merret me menaxhim të mbeturinave, ndërsa tjetra për mirëmbajtjen e ujit dhe kanalizimeve. (Visar Sadiki, TVM2)