Botë

Jordani, ekzekutohen me varje dy xhihadistë irakianë

04.02.2015 14:26

Mbretëria arabe në Lindjen e Mesme ka ekzekutuar me varje dy xhihadistë irakianë, përfshi një militante femër...

Mbretëria arabe në Lindjen e Mesme ka ekzekutuar me varje dy xhihadistë irakianë, përfshi një militante femër, në kundërpërgjigje ndaj videos së “Shtetit Islamik”, ku shfaqet piloti jordanez i djegur për së gjalli nga grupi ekstremist.
 
“Shteti Islamik” kishte kërkuar lirimin e kamikazes, Sajida al-Rishawi, në këmbim të pengut japonez, i cili më pas u ekzekutua me prerje koke.
 
E dënuar me vdekje në vitin 2005 për rolin e saj në një sulm vetëvrasës me bombë në Amman, Rishawi u ekzekutua në agim, bënë të ditur një burim i sigurisë dhe televizioni shtetëror. 
 
Jordania, e cila është pjesë e aleancës së udhëhequr nga Amerika kundër “Shtetit Islamik”, ka premtuar një “kundërpërgjigje tronditëse” për vrasjen e pilotit të saj, Muath al-Kasaesbeh, i cili ishte marrë peng në dhjetor, kur avioni i tij F-16 u rrëzua në verilindje të Sirisë.
 
Autoritetet kanë ekzekutuar gjithashtu një të burgosur të lartë të “Al Kaedës”, një irakian që ishte dënuar me vdekje në vitin 2008, Ziyad Karboli.
 
Fati i Kasaesbeh, anëtar i një fisi të madh që përbën “shtyllën kurrizore” të mbështetjes për monarkinë hashemite të vendit, kishte kapluar Jordaninë prej javësh, ndërkohë që shumë jordanezë kritikonin mbretin Abdullah për përfshirjen e tyre në luftën e udhëhequr nga Amerika, gjë që, sipas tyre, do të provokojë një përplasje mes militantëve.
 
Të burgosurit u ekzekutuan në burgun Swaqa, një ambient i madh i sigurisë së lartë rreth 70 km në jug të kryeqytetit Amman, pikërisht përpara agimit.
 
Rishawi, rreth të 40-ave, ishte dënuar me vdekje për rolin e saj në një sulm vdekjeprurës në hotelin luksoz të Ammanit, në vitin 2005.
 
Ajo mendohej të kishte vdekur në atë sulm, më i keqi në historinë e Jordanisë, por bombat në trupin e saj nuk shpërthyen.
 
Dhjetëra jordanezë të irrituar nga vrasja e Kasaesbeh u mblodhën në mesnatë në sheshin kryesor të Ammanit, duke bërë thirrje për hakmarrje dhe ekzekutimin e saj të menjëhershëm. 
 
REXHEP QAMILI