Transportuesit privat, kërkojnë borxhin, paralajmërojnë bllokada të reja

30.01.2023 15:05

Transportuesit privat sërish paralajmërojnë protesta....

Transportuesit privat sërish paralajmërojnë protesta dhe bllokada të qytetit, nëse Qyteti i Shkupit dhe NTP “Shkup” nuk ua paguajnë borxhin prej 1.5 milionë euro.

Ata kanë protestuar para selisë së NTP-së duke kërkuar takim me drejtorin Aleksandar Stojkovski. Pasi nuk janë pritur nga ai, janë nisur drejt Qytetit të Shkupit për të dorëzuar kërkesë për takim me kryetaren, Danela Arsovska.

“Kemi gjashtë muaj pa para, borxhi mbi 1.5 milionë euro nuk është paguar. Për ta bërë situatën edhe më absurde, javën e kaluar në llogarinë tonë janë paguar 5000 denarë. Nuk e kuptojmë se çfarë është kjo pagesë dhe pse kemi mbetur në rrugë, kur prej 30 vitesh mbajmë transportin publik në qytet.  Erdhëm këtu, por drejtori ishte në një takim. Nëse deri të premten nuk kemi takim me përfaqësuesit e NTP-së dhe Qytetit të Shkupit, nga e hëna do të protestojmë sërish duke bllokuar rrugët.”, - u shpreh Jovica Zefirovski nga Transportuesit privat.

“Nëse s’ka mirëkuptim ne do të mbajmë grevë, me autobusa kemi me dal në rrugë dhe do të kërkojmë përkrahjen e popullit. Mendoj që kryetarja e Qytetit të Shkupit do të na pranojë për arsye se tani kemi bërë këshill të ri.  Ne nuk dalim të akuzojmë dikë, por kërkojmë fajtorin dhe duam ta dimë shkakun pse të hollat s’kanë ardhur.”, - theksoi Mehmed Asani nga Transportuesit privat.

Kryetarja Arsovska thotë se Qyteti i Shkupit dhe NTP-ja nuk u kanë borxh transportuesve privat dhe u bëri thirrje që të lëshojnë padi nëse kanë prova. Shkupi për të tretin muaj është pa transport të rregullt publik, pasi Arsovska i ndërpreu kontratat me transportuesit “Sloboda prevoz” dhe “Makekspres”. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)