Maqedoni

Takimi Kovaçevski-Taravari, të martën, Kovaçevski: Do bisedojmë edhe zgjidhjet programore

30.01.2023 15:59

Kreu i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, të martën pritet të takojë kreun e ASh-së, Arben Taravari...

Kreu i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, të martën pritet të takojë kreun e ASh-së, Arben Taravari, për të diskutuar mundësitë për bashkëqeverisje deri në zgjedhjet e radhës. Takimin e konfirmoi vetë kryeministri Kovaçevski.
  
“Nesër do të kemi takim me Taravarin, në të cilin sërish do të bisedojmë për avancimin nga takimi i fundit. Ndër të tjera do të bisedojmë edhe bashkëpunimin e mundshëm për zgjidhjet programore dhe ligjore të cilat mund ta avancojnë kapacitetin e shtetit, Kuvendit dhe miratimin e vendimeve që nënkuptojnë vazhdimin e rrugës europiane dhe realizmin e qëllimit tonë që deri në vitin 2030 të jemi vend anëtar i Unionit Europian.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
ASh: Do të flitet edhe për pjesë të programit
 
Nga Aleanca për Shqiptarët konfirmojnë se takimi do të mbahet në Qeveri, të martën në ora 13 dhe se fillimisht presin të shohin ofertën e mandatarit, përkatësisht kryeministrit Kovaçevski.
 
“Nëse janë të pranueshëm për ta, do të vazhdojmë edhe me zgjidhjet kadrovike. Nëse nuk janë të gatshëm atëherë unë mendoj së shpejti ne duhet t’i japim fund kësaj historie. Ose do të merremi vesh ose ne do të vazhdojmë në opozitë dhe do të veprojmë si kemi vepruar këto 7-8 vjet.”, tha kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
  
Të premten, ASh formoi ekipin, i cili do të negocojë hyrjen e mundshme në partisë në koalicionin qeverisës. Veç kreut të partisë, pjesë e ekipit negociues do të jenë edhe tre nënkryetarët e partisë dhe dy sekretarët.    
 
VMRO: Ideja europiane s’është të lusësh për funksione
 
Hapi i ASh-së për të negocuar pjesëmarrjen në qeveri siç duket nuk i shkon në favor VMRO-DPMNE-së.
 
“Sigurisht nuk është sjellje europiane kur Taravari e lut VMRO-DPMNE-në që të votojë për të në Gostivar apo atëherë VMRO-DPMNE ishte e reformuar?! Kur Aleanca u nënshkrua për rrëzimin e qeverisë, Taravari u nënshkrua pro VMRO-së apo kundër BDI-së?! Ideja europiane nuk është të lusësh dhe të shantazhosh për funksione dhe punësimin e anëtarëve të partisë.”, - u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Me fillimin e negociatave për anëtarësim në Unionin Europian, kryeministri Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të përkrahin këtë proces me vepra konkrete. Sfida e parë është ndryshimi i kushtetutës që duhet të ndodhë deri në nëntor. 
 
SHPËTIM NUREDINI