Maqedoni
Bytyqi: Po bëjmë ristrukturim të ekonomisë vendore
30.01.2023 17:00
Për të pasur rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm janë të nevojshme ndryshime strukturore dhe sistematike...

Për të pasur rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm janë të nevojshme ndryshime strukturore dhe sistematike, vlerësoi zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, në konferencën qeveritare “Mundësi të reja”. Për këtë arsye qeveria miratoi planin e rritjes ekonomike, që sipas Bytyqit ka treguar rezultate, sidomos në pjesën e thithjes së investimeve.
“Në vitin 2018 u miratua Plani i Rritjes Ekonomike me një komponent zhvillimi afatmesëm që duhet të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë sonë. Filluam të mbështesim të gjitha investimet, pavarësisht nëse janë vendase apo të huaja. Qeveria nuk është e fokusuar vetëm në një nga parametrat – rritjen e PBB-së, por çelësi është nëse kompanitë mbështeten dhe nëse biznesi është i gatshëm të përballojë sfidën për të sjellë rritjen dhe zhvillimin e dëshiruar. Me këtë rast dua të theksoj se ne dimë shumë mirë të tërheqim investime. Vitin e kaluar e mbyllëm me 560 milionë euro investime të huaja dhe për këtë përdorim zero mjete të qytetarëve tanë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Azeski: Të miratohen ligjet e nevojshme për biznesin
Për zhvillimin e shtetit, komunikimi ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve është vendimtar, vlerëson kreu i Odës Ekonomike, Branko Azeski. Sipas tij, është koha që të ndalohet zvarritja e ligjeve të rëndësishme ekonomike që vështirë kalohen në Kuvend për shkak të bllokadës së saj dhe të miratohen ato zgjidhje ligjore që qëndrojnë në sirtarët e qeverisë për dhjetë vjet dhe janë prioritet për funksionimin të biznesit.
“Kërkojmë një gatishmëri më të madhe të sektorit publik, të qeverisë, në drejtim të sundimit të ligjit dhe respektimit të ligjeve të tregut, veçanërisht në pjesët që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, sepse komuniteti i biznesit vuan disa pasoja. Gjithashtu kërkojmë rritjen e kuotave për importin e fuqisë punëtore. Qëndrimi ynë këtu është identik me atë të qeverisë, duhet të rriten kuotat, por të merren parasysh interesat kombëtare, por edhe interesat e biznesit.”, - theksoi kryetari i OEMV, Branko Azeski.
Ai po ashtu përkujtoi se Oda ka miratuar Deklaratën për politikat dhe masat ekonomike që përkon, siç tha ai, me Strategjinë Kombëtare Zhvillimore të Qeverisë këtë vit. Ai bëri të ditur se do të bëhen përpjekje për harmonizimin e dy dokumenteve.
ERSAN PAJAZITI
