Mungesa e librave për nxënësit, Shaqiri: Vijon shpërndarja e teksteve, mungojnë vetëm dy
Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore....

Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore nisi sërish me mungesa të librave të caktuara dhe libra që janë tërhequr për shkak të gabimeve të konstatuara. I pyetur se kur nxënësit do të pajisen me libra numri një i dikasterot të arsimit, Jeton Shaqiri, potencon se këtë javë po vijon shpërndarja e teksteve shkollore me përjashtim të teksteve për të cilat janë konstatuar gabime e që presim miratim nga Këshilli Nacional dhe Drejtoria Pedagogjike.
Sipas tij, po pritet raporti i Qeverisë për këshillin nacional, ndërsa MASh sipas ligjit aktual nuk është e kyçur në këtë procedura, andaj dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi. Në ligjin e ri do të ketë procedura sanksionuese, ndërsa ndodhin gjëra të tilla, sqaron Shaqiri.
“Në të gjithë historinë e shpërndarjes kemi vetëm shoqërinë e klasës së parë të pa shpërndarë dhe gjuhën maqedonase për klasën e pestë. Të gjitha tekstet tjera në gjuhën maqedone, shqipe, turke po shpërndahen kësaj jave. Ka pasur mbi njëzet vërejtje nga recensentët, mbi njëzet vërejtje nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe këto vërejtje që un nuk i dëshiroj dhe po pranoj kritika për këto vërejtje nuk janë dhënë as nga recensentët e sa nga Byroja për zhvillimin e Arsimit. Për këtë arsye në procedurat e tjera ligjore te ligji i ri do të ketë edhe procedura sanksionuese nëse ndodhin gjëra të tilla.”, - deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
Mësimi në gjimnazin matematiko-informatik, pritet pëlqim nga ministria e financave për kontratat
Ndërkohë në gjimnazin matematiko-natyror nxënësit po humbin orët mësimore për shkak të mosvazhdimit të kontratave për profesorët aktual. Por, Shaqiri shprehet optimist se do të marrë pëlqim nga Ministria e Financave dhe mësimi do të vijojë gjatë kësaj jave.
“Kam kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit e sektorit të arsimit të mesëm për mos reagim në kohë dhe mendoj se sot nëse marrim pëlqim pozitiv menjëherë drejtoria e shkollës do të informohet. Bëhet fjalë për kontrata njëvjeçare, ashtu siç vazhdohen në të gjitha institucionet dhe shpresoj se është çështje ditësh që do të zgjidhet kjo problematikë dhe mësimi do të vazhdojë.”, - theksoi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
Këto deklarata u dhanë gjatë nënshkrimit të memorandumit mes MASh dhe Ambasadores së Zvicrës në Shkup Veronik Ullman, për rritjen e cilësisë në arsimin profesional deri më vitin 2026. Përkrahja e Zvicrës për këto reforma arrin vlerën prej 6 milion frangash. (Flutura Latifi, TVM2)
