Maqedoni
Kovaçevski: Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë
31.01.2023 15:17
Qeveria ka arritur që 100% t’i mbulojë nevojat e amvisërive për energji elektrike...

Qeveria ka arritur që 100% t’i mbulojë nevojat e amvisërive për energji elektrike, me anë të lëshimit në përdorim të të gjitha kapaciteteve prodhuese vendore të energjisë elektrike, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, në konferencën vjetore “Vit i mundësive të reja”. Nisur nga kjo, kryeministri Kovaçevski zotohet se rritje të çmimit të energjisë nuk do të ketë, përkundrazi premtoi rënie të çmimit.
“Në periudhën e ardhshme unë parashikoj dhe punojmë në atë që mos të ketë rritje, madje në disa segmente mund të ketë edhe ulje. Parashikimi bazë për të është rritja e prodhimit të energjisë elektrike. Vitin e kaluar EMV arriti që ta rritë prodhimin e energjisë elektrike për 20% në krahasim me periudhën e kaluar. Për këtë vit plani është që përsëri të rritet prodhimi i energjisë elektrike.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
“Rritja e prodhimtarisë do të thotë edhe ulje të importit të energjisë elektrike dhe ulje e varshmërisë, por në të njëjtën kohë do të thotë energji elektrike më e lirë, për shkak se prodhimi i rritur i energjisë elektrike i ulë shpenzimet dhe me atë japim mundësi që kur të sillen vendimet për çmime të reja të energjisë elektrike të mos ketë rritje drastike apo në disa masa të ketë edhe ulje të çmimit për konsumatorët.”, - theksoi drejtori i EMV-së, Vasko Kovcaçevski.
Bekteshi: Do të ulim varshmërinë nga Gazpromi
Deri në fund të vitit 2024 pritet të ndërtohet interkonjektori i gazit natyror me Greqinë, kurse po punohet edhe për një interkonektorë të ri me Serbinë dhe me Kosovën, informoi ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Kjo, sipas tij do të ulë varshmërinë e vendit prej Gazpromit.
“Më e rëndësishme se gjithçka është se gazi natyror që momentalisht po importohet është nga terminalet LNG në Turqi dhe një pjesë në Greqi, që do të thotë se kemi burime të ndryshme, në krahasim prej asaj që kemi pasur paraprakisht dhe nuk jemi të varur vetëm prej një burimi që përpara ka qenë vetëm Gazprom.”, - u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Sipas Bekteshit, nëse realizohet plotësisht Plani Nacional për gazifikimin e plotë të vendit dhe lidhjen e tij me fqinjët, ekziston mundësia që Maqedonia të bëhet qendër energjetike dhe të gëzojë përfitimet e eksportit të gazit natyror në vendet fqinje.
ERSAN PAJAZITI
