Maqedoni

Rikthehen shirat dhe përmbytjet

04.02.2015 15:07

Shirat, që prej mbrëmë sërish po bien, sidomos në pjesën lindore të vendit në të cilën kanë rikthyer gjendjen alarmante...

Më i rrezikuar nga përmbytjet është Manastiri. Edhe komunat Mogilla dhe Novaci janë nën ujë, kurse në pesë vende Lumi i Zi ka dalë nga shtrati.
 
Autoritetet kanë prerë rrugën lokale për t’i hapur lumit një udhë të re me qëllim të evitojnë përmbytjen e fshatit Novali, ku tashmë prej mbrëmë po evakuohen njerëzit. 
 
“Morëm leje nga ministri Janakievski për të prerë rrugën, me qëllim që të bëhet derdhja artificiale e ujit. Fshati Novaci ka filluar të përmbytet që prej mbrëmë, ne i kemi evakuuar njerëzit, por që të parandalohet një katastrofë më e madhe vendosëm ta marrin këtë hap”- deklaroi kryetari i Komunës së Novacit, Lazar Kotevski.
 
Reshjet intensive po lënë pasoja edhe për bujqit. Sipërfaqet bujqësore dhe të mbjellat janë “viktima” më e madhe e përmbytjeve të fundit. Një pjesë e madhe e të mbjellave janë nën ujë. Sipas agronomëve, janë të pakta mundësitë që të mbjellat e vjeshtës të japin të korra. Në fushat e Koçanit sasia e ujit është 20 centimetra,ndërsa në Pellagoni sasia e ujit ka arritur deri në gjysmë metër.
 
“Për shkak të sasisë së madhe të ujit ka nxitje të një numri të madh të bimëve. Me plotë kuptimin e fjalës, po shkaktohen lumenj dhe kanale brenda zonave bujqësore. Toka është shumë e ngopur me ujë dhe po  krijohet një lloj ngulfatje e të mbjellave”- tha profesori në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, Dane Boshev.
 
Në zonat e përmbytura vazhdojnë të arrijnë ndihma për banorët. Edhe EVN-Maqedoni në bashkëpunim me Kryqin e Kuq ka dërguar ujë të ambalazhuar për pije, si dhe mjete për pastrim dhe dezinfektim për vendbanimet e përmbytura nga vërshimet.
 
ERSAN PAJAZITI