Maqedoni

BDI, vazhdojnë përplasjet në takime të ndara

31.01.2023 15:51

Takime të ndara dhe përplasje brenda BDI-së....

Takime të ndara dhe përplasje brenda BDI-së. Kryetari i partisë, Ali Ahmeti, në takim me banorët e Bogovinës, ndërkaq grupi i zjarrit në Kërçovë. Ahmeti foli për angazhimin dhe avancimin e të rinjve.
 
“Shekullin e ri duhet ta drejtojnë bijtë e shekullit të ri dhe pikërisht këtë punë në radhë të parë unë ia kam dhënë angazhim vetvetes që gjeneratat të avancohen, gjeneratat e reja të inkurajohen dhe të frymëzohen që të marrin mbi shpatulla përgjegjësi.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Izet Mexhiti gjatë qëndrimit në Kërçovë tha se debati duhet të kthehet në kryesinë qendrore, pasi sipas tij vetëm me debat mund të ecet drejt Europës. Mexhiti komentoi edhe zotimet e Ahmetit për avancimin e të rinjve.
 
“Mos të bëjmë improvizime. Dikush mundohet të paraqesë reformë brenda BDI-së. Nuk desha të ndalem me emra, por çfarë reforma d.m.th., këto të rinjtë t’i përkrahim, po cilët të rinj? Artani është një gjeneratë me mua, me Blerimin. Pse ka ardhur më vonë në BDI, duhet ta llogarisim që është risi apo Fatmir Besimin? Unë e respektoj Fatmir Besimin si ekspert i financave, por a është i financave, a është i mbrojtjes, i integrimeve? Bujar Osmani a është ekspert i politikës së jashtme, i shëndetësisë, i integrimeve apo zëdhënës?”, - theksoi Izet Mexhiti nga BDI.
 
Sipas Mexhitit, BDI duhet të dalë e të flasë dhe japë llogari për investimet e ulëta në vendbanimet shqiptare në 2% dhe mos zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet, për të cilat Ahmeti edhe në takimin e fundit foli se janë bërë investime kapitale dhe infrastrukturore, pa lënë anash integrimin e vendit në NATO dhe rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese.
 
MERAL ISMAILI