Maqedoni
OSBE dhe NATO angazhim për përfundim të luftës në Ukrainë
31.01.2023 16:06
E vetmja mënyrë për të ndalur luftën në Ukrainë është respektimi nga ana e Rusisë...

E vetmja mënyrë për të ndalur luftën në Ukrainë është respektimi nga ana e Rusisë të dokumenteve të nënshkruara të OSBE-së. Kështu deklaroi shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, gjatë vizitës së parë në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së në selinë e NATO-s, e cila është shfrytëzuar për shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim mes dy organizatave, në drejtim të ndaljes së agresionit rus në Ukrainë.
“OSBE dhe NATO kanë një rol të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë europiane dhe për stabilitetin dhe sigurinë e ardhshme të kontinentit tonë. Dyja organizatat bazohen në parime dhe vlera. Maqedonisë së Veriut i është besuar të jetë ruajtësi i këtyre vlerave dhe unë jam këtu për të përsëritur se e vetmja mënyrë për të zgjidhur luftën në Ukrainë është kthimi në obligimet e dokumentit të Helsinkit. Shqetësimi ynë kryesor i presidencës sonë do të jetë Ukraina. Do të përsëris atë që thashë në Kiev dy javë më parë dhe në Vjenë, agresioni duhet të ndalet, sakrificat njerëzore dhe vuajtjet janë të papranueshme. Por, duhet të fokusohemi në problemet tjera që krijohen si pasojë e këtij agresioni dhe tensioneve.”, - deklaroi Bujar Osmani nga Ministria e punëve të jashtme.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në takimin me Osmanin përsëriti mbështetjen për përpjekjet e OSBE-së për të stabilizuar Europën, si dhe angazhimin për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë.
“Jetojmë në një kohë kur Rusia e ka tronditur këtë botë. Agresioni brutal ndaj Ukrainës nuk është vetëm një sulm brutal ndaj një shteti të pavarur demokratik në Europë, por një sulm ndaj vlerave europiane. Rusia është pjesë e dokumenteve të OSBE-së, Kombeve të Bashkuara dhe NATO - Rusi. NATO dhe OSBE kanë një partneritet shumë të ngushtë. Ne bashkëpunojmë në mbrojtjen kibernetike, luftën kundër terrorizmit, sigurinë njerëzore. Ne punojmë së bashku me shumë aleatë brenda OSBE-së për transparencën dhe kontrollin e armëve.”, - theksoi zëvendës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Joana.
Përveç luftës në Ukrainë në takim është biseduar edhe për pasojat e agresionit e këtij konflikti si kriza energjetike dhe ajo ekonomike.
FITORE DEMOLLI
