Maqedoni

Gjykata themelore në Tetovë, seancë gjyqësore për zjarrin në spitalin modular

31.01.2023 16:19

Në Gjykatën themelore në Tetovë kanë dëshmuar sot dëshmitarët për rastin e zjarrit në spitalin modular...

Në Gjykatën themelore në Tetovë kanë dëshmuar sot dëshmitarët për rastin e zjarrit në spitalin modular. Njëri ndër to ishte edhe Mumin Ismaili, i cili tha se ka qëndruar në kujdesie të nënës së tij për 28 ditë.
 
Ismaili më tej shtoi se gjatë deklaratës ka pasur edhe provokime nga prokurorët, duke e pyetur se pse ka qëndruar në spital, po sipas tij ka qenë e domosdoshme kujdesi ndaj familjarëve pasi ata kanë pasur nevojë.
 
“Kishte provokime nga prokurorët në rastin tim personal, se si kam ndodhur, pse kam qëndruar brenda në spital, ajo dihet pse ne kemi qëndruar brenda, siç janë rrethanat në RMV, është dashur çdo njëri nga familjarët të qëndroj afër familjarëve në dhoma. Unë me nënën kam qëndruar 28 ditë, nga 14.07 deri me 8 shtator kur ndodhi zjarri. Nuk na kanë thënë, por e kemi pasur patjetër te qëndrojmë pasi ka pasur tre motra medicinale, ndërsa pacient ka pasur, 6 dhoma nga 6 pacient 36 pacient dhe ato pacient çdo minutë, çdo sekondë kanë pasur nevojë për ndihmën tonë.”, - u shpreh dëshmitari, Mumin Ismaili.
 
Para gjykatës kanë dëshmuar edhe mjeku Mustafa Tahiri,i cili tha se zjarri ishte përhapur për 10 sekonda dhe dhoma ishte shkrumbuar. Ndërkohë si dëshmitare tjetër ishte edhe doktoresha Shpenza Arifi, e cila ka qenë në ndërrim me mjekun Mustafa Tahiri, tha se kishte kërkuar nga motrat që të sillnin aparate kundër zjarrit, por nuk kishin gjetur.
 
Sipas dëshmive zjarri kishte shpërthyer fillimisht te koka e pacientes dhe murrit e më pas ishte përhapur gjithandej.  Të akuzuar për këtë rast janë ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vuçevski.
 
Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie. Seanca e radhës u caktua të jetë me 16 shkurt ku pritet të dëshmojnë të akuzuarit për spitalin modular në Tetovë.
 
VISAR SADIKI