Maqedoni

ASh fillon negociatat për hyrje në qeveri, Taravari: Shteti i së drejtës, prioritet

31.01.2023 16:40

Grupi negociues i ASh-së, i kryesuar nga vetë kryetari i partisë, Arben Taravari, filluan bisedimet me mandatarin Dimitar Kovaçevski...

Grupi negociues i ASh-së, i kryesuar nga vetë kryetari i partisë, Arben Taravari, filluan bisedimet me mandatarin Dimitar Kovaçevski dhe partitë e koalicionit qeveritar. Negociatat kanë filluar me harmonizimin e programit të ASh-së me atë të qeverisë.
 
Varësisht nga përputhshmëria e programeve do të vazhdohet me zgjidhjet kadrovike. Para takimit, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se një nga pikat kyçe për përfshirje në qeveri është lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.
 
“Sot ulemi së bashku me partitë qeveritare për t’i filluar negociatat. Natyrisht ne kemi përgatitur programin tonë të cilin në fillim do ta diskutojmë për sinkronizim të programit qeveritar me programin e Aleancës për Shqiptarët, e më vonë mund të bisedojmë edhe për zgjedhje kadrovike, por pikë së pari puna që duhet ta bëjmë sot është a mund t’i sinkronizojmë programin tonë me programin e qeverisë. E para është paketi ynë për antikorrupsion dhe funksionimi i shtetit të së drejtës, pikat tjera do t’i flasim pastaj.”, - deklaroi kryetari ASh-së, Arben Taravari.
 
Taravari mohoi spekulimet se ka kërkuar tre ministri për t’u bërë pjesë e qeverisë. S’deshi të komentojë as refuzimin e Alternativës që të lëshojë ndonjë post për partnerin potencial më të ri.
 
“Puna e jonë nuk është punë e Alternativës, por është punë e shumicës qeveritare. Ne tash i fillojmë negociatat me shumicën qeveritare, nuk flasim me një parti.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, një ditë më parë, deklaroi se në takimin do të bisedohet për bashkëpunimin e mundshëm për zgjidhjet programore dhe ligjore të cilat mund ta avancojnë kapacitetin e shtetit dhe miratimin e vendimeve që nënkuptojnë vazhdimin e rrugës europiane.
 
Pas takimit me grupin negociues të ASh-së, Kovaçevski do të mbledh edhe Këshillin Ekzekutiv të LSDM-së.
 
SHPËTIM NUREDINI