Maqedoni
Tensionet Shkup – Sofje, Spasovski: MPB e mobilizuar për 4 shkurtin
31.01.2023 17:07
Ditëve të fundit është ngritur dilema se a është ngjarje me rrezikshmëri të lartë për shtetin...

Ditëve të fundit është ngritur dilema se a është ngjarje me rrezikshmëri të lartë për shtetin kremtimi i ditëlindjes së revolucionarit maqedonas, Goce Delçev me 4 shkurt në Shkup? Kjo çështje mbetet një nga shqetësimet më të mëdha për autoritetet e vendit.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski premton se MPB punon në grumbullimin e informacioneve të nevojshme dhe për sigurimin e rendit dhe qetësinë gjatë shënimit të kësaj ngjarjeje. Thotë se MPB në asnjë mënyrë nuk do të jetë vetëm vëzhgues i thjesht, por do të jetë në gatishmëri të plotë dhe do të veprojë konform situatës së paraqitur në terren.
“Në kuadër të MPB-së po punon një shtab në të cilin janë kyçur të gjitha agjencitë, edhe agjencia për siguri kombëtare, agjencia për zbulim dhe zbulimi ushtarak, ku shkëmbejmë informacione të shumta rreth asaj që jemi në pritje për shënimin e 4 shkurtit, ndërsa vendimet do t’i marrim kur do të vijë koha. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë asnjë lloj të eskalimit të situatës, nuk do të lejojmë si shtet të ketë e asnjë incident dhe nuk do të lejojmë asnjë lloj nënçmim të popullit dhe shtetit maqedonas prej cilitdo që do të vijë.”, - deklaroi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
VMRO-DPMNE: Kush qëndron pas tensioneve Shkup - Sofje?
VMRO-DPMNE opozitare kërkon që Kovaçevski dhe Pendarovski të mos fshehin të vërtetën dhe të tregojnë se cilat shërbime të huaja mund të qëndrojnë pas tensioneve dhe provokimeve antimaqedonase nga ana Bullgarisë.
“Pendarovski doli edhe pas Këshillit të Sigurimit, tha se pas gjuhës së urrejtjes ndaj Maqedonisë dhe negacioneve të shtetit qëndrojnë rrjete të huaja, të cilat krijojnë tensione mes vendeve, nëse nuk del dhe nuk jep detaje, serioziteti i tij vihet në pikëpyetje, por edhe zhvlerëson të gjithë sistemin. Nëse qeveria nuk e thotë qartë se kush qëndron pas tensioneve, atëherë është një aktor aktiv në to.”, thonë nga VMRO.
Tensionet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë rritur për shkak të sulmit të sekretarit të klubit bullgar “Car Boris Treti” në Ohër, i cili ka shtetësi të RMV-së i deklaruar si bullgar.
Autoritetet bullgare kanë theksuar se gjatë kremtimit të lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt, të dyja vendet dhe kryesisht institucionet në RMV duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga çdo provokim për të siguruar rendin dhe qetësinë e nevojshme.
REXHEP QAMILI
