Botë

Kosovë, debat për asociacionin në ambasadën amerikane

31.01.2023 18:15

Në Ambasadën amerikane në Prishtinë është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave...

Në Ambasadën amerikane në Prishtinë është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në deklaratën për media pas takimit ka theksuar se ShBA-të nuk mbështesin asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës.
 
Po ashtu, Hovenier tha se “partneriteti me Kosovën është i palëkundur.”. 
 
“Diskutimi ynë i sotshëm pasqyroi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës. Donim të kuptonim këndvështrimet e pjesëmarrësve për një AKShS: çka do të mund të ishte dhe si mund të ofrojë shërbime për qytetarët e Kosovës, por gjithashtu edhe çfarë kapacitetesh nuk mund dhe nuk do të duhej t’i ketë.”, ka deklaruar Hovenier.
 
Në këtë diskutim kanë marrë pjesë edhe shefat e stafit të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.
 
“Besoj që ata të cilët janë dhe do ta thonë fjalën e tyre. Atje ndodhet shefi i stafit tim dhe shefi i stafit të presidentes.”, - theksoi kryeministri, Albin Kurti.
 
Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se gjithçka që vjen nga Amerika është e mirë për Kosovën. Derisa ministrja e jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se çdo model që e lejon Serbinë ta minojë pavarësinë e Kosovës duhet të refuzohet. 
 
“Çdo model që lejon Serbinë të minojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë ata që synojnë paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon.”, ka shkruar Gërvalla. 
 
Diskutimi i së martës në ambasadën e ShBA-së për asociacionin ishte i mbyllur. Në takim morën pjesë zyrtarë shtetëror, përfaqësues nga pushteti dhe opozita, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomat. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI