Botë

Stoltenberg takon kryeministrin Kishida, të shqetësuar nga bashkëpunimi Kinë - Rusi

31.01.2023 19:21

Japonia dhe NATO duhet të “vazhdojnë të jenë të bashkuara dhe të vendosura” ndaj kërcënimeve të sigurisë...

Japonia dhe NATO duhet të “vazhdojnë të jenë të bashkuara dhe të vendosura” ndaj kërcënimeve të sigurisë që paraqesin Kina, Koreja e Veriut dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, deklaroi në Tokio shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg.
 
Shefi i NATO-s paralajmëroi se Pekini po vëzhgon nga afër zhvillimet në Ukrainë dhe “po mëson gjëra që mund të ndikojnë në vendimet e ardhshme”. Këto komente ai i bëri pasi zhvilloi një takim me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida.
 
Shefi i NATO-s vizitoi Japoninë në kuadër të turneut të tij në Azi, që synon të forcojë lidhjet me aleatët demokratikë. “Çfarë po ndodh në Evropë sot mund të ndodhë në Azinë Lindore nesër.
 
Prandaj, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të vendosur, të qëndrojmë së bashku për liri dhe demokraci”, tha ai. Stoltenberg dhe Kishida thanë se janë të shqetësuar nga rritja e bashkëpunimit që kanë parë midis Kinës dhe Rusisë. 
 
“Ne theksuam me shqetësim rritjen e bashkëpunimit ushtarak të Rusisë me Kinën, përfshirë edhe përmes operacioneve dhe stërvitjeve në afërsi të Japonisë”, thanë dy zyrtarët përmes një deklarate të përbashkët.
 
Japonia ka vendosur sanksione ndaj Moskës së bashku me partnerët e tjerë të G7-s, dhe po ashtu ka ndërmarrë hapa të rrallë duke dërguar pajisje të mbrojtjes dhe ka ofruar strehim për personat që ikin nga konflikti.