Botë

BE: nuk ka shanse të pranohet azili

04.02.2015 15:34

Zyra e BE-së në Kosovë thotë se sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë...

Zyra e BE-së në Kosovë thotë se sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe për pasojë kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
 
“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë shans që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”- thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë.
 
Zyra e BE-së thekson se “kosovarët rrezikojnë të bëjnë shpenzime të konsiderueshme vetëm për t’u rikthyer në Kosovë”. 
 
Sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, përfaqësia e Bashkimit Evropian ka thënë se nuk është në interes të Kosovës “nëse numri i kërkesave për azil në BE nga shtetasit kosovarë vazhdon të rritet”. 
 
Një tjetër shqetësim është ngritur sot nga Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, i cili jep alarmin se emigrimi ilegal vë në rrezik jetën e fëmijëve për shkak të rrugëtimit jo të sigurt, temperaturave të ulëta të sezonit dimëror, qëndrimin e gjatë nëpër kampe etj.
 
Vetë statistikat e emigrimit të nxënësve të dhëna nga MASH-i janë tejet alarmante. KOMF-i shprehet po ashtu i brengosur për rastet të cilat janë raportuar në media lidhur me emigrimin e fëmijëve të pashoqëruar nga prindërit apo kujdestarët e tyre.
 
“Po ashtu, kërkojmë nga policia kufitare që të kenë parasysh rastet e tilla. Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu për të drejtën e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë. Por, i lusim të gjithë prindërit që të mendojnë për rreziqet në të cilat mund të vihen fëmijët e tyre duke ndjekur rrugën e emigrimit ilegal. Kosova po humb kapitalin kryesor të vendit, andaj i bëjmë thirrje institucioneve që të marrin masa në mënyrë emergjente për situatën e krijuar”- thuhet në komunikatë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI