SHGM: Prokuroria e përgjithshme po censuron gazetarët

04.02.2015 16:11

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka dënuar ashpër kërcënimet për ndjekje penale të gazetarëve nga Prokuroria e Përgjithshme për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nëse publikojnë material që mund të jenë objekt i procedurës penale...

“Këto kërcënime të prokurorisë janë të pakuptimta, sepse në mënyrë të pashembullt kërkojnë të pezullojnë rolin e medias, si korrektor i pushtetit në një shoqëri demokratike. Kërcënimet e prokurorisë cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të gazetarëve dhe të qytetarëve. Përkujtojmë prokurorinë se Kushtetuta e Maqedonisë është shumë e qartë. Ajo në nenin 16 ndalon censurën dhe garanton lirinë e fjalës, të shprehjes publike, informimit publik, si dhe qasjen e lirë të informatave, lirinë e pranimit dhe të shpërndarjes së informatave”-  thonë nga SHGM-ja, duke shtuar se këto kërcënime nuk janë të bazuara në ligj.

Nuk ekziston asnjë ligj në Maqedoni që i jep të drejtë prokurorit të imponojë censurë për mospublikimin e materialeve që zbulojnë vepra penale.

“Prokuroria mund të ftojë të mos publikohet material për ndonjë hetim që është në rrjedhë e sipër, mirëpo të kërkohet të mos botohen materiale që mund të jenë objekt i ndonjë procedure penale është absurde dhe paraqet keqpërdorim të rëndë të institucionit”- thuhet nga SHGM-ja.

SHGM i inkurajon gazetarët të mos bien pre e këtyre kërcënimeve boshe, që nuk kanë kurrfarë baze ligjore dhe i fton të raportojnë në pajtim me kodin etik të gazetarëve, i cili kërkon që gazetarët ta respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e opinionit, që ata të jetë të informuar. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)