Ahmeti: Mjaft me akuza e shpifje, veting gjithëpërfshirës
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e së martës me qytetarët në Vrapçisht...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e së martës me qytetarët në Vrapçisht, tha se BDI angazhohet pro transparencës dhe llogaridhënies. Edhe një herë këmbënguli për veting gjithëpërfshirës.
“Në veting të përfshihen të gjithë politikanët, pavarësisht a është parti e madhe ose e vogël, t’i shohim këta politikanë si janë dhe si kanë qenë, të gjithë pa përjashtim! Dëgjojmë akuza e shpifje për vjedhje, por unë nuk merrem me arsyetime boshe duke thënë nuk jam, nuk jam. Vetingu do t’i vërtetojë të gjitha.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti: Të bashkohemi të gjithë në frontin pro BE-së
Ai shtoi se BDI angazhohet për luftë jo vetëm kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe kundër përçarjeve e ndasive, e premtoi se do të punojë për unifikim të politikave në vend dhe për bashkim rreth një platforme të përbashkët për frontin pro BE.
“Hajde të bashkohemi gjithë shqiptarët, ta bëjmë frontin pro BE, të thërrasim dhe bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe ta çojmë këtë vend drejt BE-së.”, - theksoi Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Skriningu, shtoi Ahmeti, duhet të përfundojë në nëntor, e ky proces duhet kaluar hap pas hapi. (Rexhep Qamili, TVM2)
