OBI: Të merren masa të forta kundër djegies së kuranit

01.02.2023 13:29

Organizata e Bashkëpunimit Islam...

Organizata e Bashkëpunimit Islam ka kërkuar kundërmasa të forta kundër djegies së kopjeve të Kuranit kohët e fundit në Suedi, Holandë dhe Danimarkë.

Blloku mysliman shprehu një qëndrim të përbashkët kundër përdhosjes së fundit të Kuranit të shenjtë pas një takimi urgjent në qytetin Xheda të Arabisë Saudite.

Në deklaratë thuhet se ata diskutuan veprimet e mundshme që Organizata e Bashkëpunimit Islam mund të ndërmarrë kundër autorëve të sulmeve të tmerrshme islamofobike.

“Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Hissein Brahim Taha shprehu shqetësimin e tij për aktet provokuese të aktivistëve të ekstremit të djathtë, duke theksuar se akte të tilla janë akte kriminale të kryera me qëllimin kryesor për të vënë në shënjestër myslimanët, duke fyer fenë, vlerat dhe simbolet e tyre”, thuhet në deklaratë.

Taha tha se qeveritë përkatëse duhet të marrin kundërmasa serioze, veçanërisht pasi provokime të tilla janë kryer vazhdimisht nga ekstremistët e djathtë në vendet e tyre.

Javën e kaluar, ekstremisti danezo-suedez Rasmus Paludan dhe Edwin Wagensveld, politikani holandez i ekstremit të djathtë dhe udhëheqës i grupit islamofobik PEGIDA, dogjën librin e shenjtë të muslimanëve në Suedi, Holandë dhe Danimarkë.