Maqedoni

Ndryshimet në ekzekutiv, Tupançevski: Drejtësia, një nga ministritë në “Pazar 3”

01.02.2023 14:27

Ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski, pranon se Ministria e drejtësisë është njëra nga resoret

Ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski, pranon se Ministria e drejtësisë është njëra nga resoret e cila është në pazar politik sa i përket ndryshimeve kadrovike me futjen e ASh-së në qeveri. Nuk deshi të komentojë kontekstin politik të këtij ndryshimi, por tha se resori që drejton mund të mburret me rezultatet e arritura.
 
“Ministria e drejtësisë është një nga ministritë që do të vendoset në "Pazar 3"sa i përket disa ndërrimeve apo ndryshimeve të disa pozitave ministrore. Unë si ministër dhe Ministria e drejtësisë, nuk jemi të ngarkuar me këtë çështje. Ne deri në ditën e fundit do të japim maksimumin.”, - deklaroi ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski.
 
Edhe pse thotë se nuk i frikësohet largimit të tij të mundshëm nga kreu i Ministrisë së drejtësisë, Tupançeski pranon  se ndryshimi i shpejtë i ministrave nuk është zgjidhja më e mirë.
 
“Nuk jam i sigurt që ndryshimi i shpejtë i ministrave është zgjidhja më e mirë, por definitivisht jo gjithçka varet nga Ministria e drejtësisë. Shumë gjëra varen nga faktorë që nuk lidhen drejtpërdrejt me ministrinë, për fat të keq apo ndoshta për fat të mirë.”, - u shpreh ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski.
 
Kryetari i ASh-së, Arben Taravari, pas takimit të së martës  me kryeministrin Kovaçevski, tha se janë pajtuar për rreth 90 për qind të objektivave të programit, por tha se nuk është diskutuar fare për zgjidhje kadrovike. Megjithatë ka konfirmuar se si parti kanë personat më adekuatë për Ministrinë e shëndetësisë.

FLORIJE BELULI KAMBERI