Maqedoni

Arsimtarët e muzikës në Strugë nuk paguhen, Shaqiri: Së shpejti pëlqimi nga Ministria e financave

01.02.2023 15:02

Kuadri arsimor që ligjëron në shkollën fillore të muzikës në Strugë nuk paguhet për kontributin e dhënë....

Kuadri arsimor që ligjëron në shkollën fillore të muzikës në Strugë nuk paguhet për kontributin e dhënë. Kjo shkollë është themeluar dy vite më parë, por për 17 muaj, arsimtarët e lëndëve teorike nuk janë paguar. 6 muaj pagë nuk kanë marrë as arsimtarët e lëndëve praktike. I pyetur për vonesën e pagave numri 1 i dikasterit të arsimit, Jeton Shaqiri, sqaron se në fillim kuadri i kësaj shkolle është plotësuar nga Shkolla e Mesme e disperzuar e muzikës në Tetovë. Për këtë shkak sipas tij, pëlqimet e para po jepen pas një periudhe të gjatë kohore.
 
“Kjo çështje me miratimin e Ministrisë së financave do të zgjidhet së shpejti. Unë jam falënderues ndaj mësimdhënësve që kanë pasur vullnetin e mirë, jo vetëm në periudhën që unë jam ministër, por edhe më herët, por ne së shpejti do të japim pëlqimet e para për të rregulluar statusin e profesorëve që ndoshta nuk do të jenë në numër  total sa ka qenë kërkesa e komunës së Strugës ose shkollës, sepse është përcjell ai dokument te ne, por është veprim i mirë se do të merret pëlqimi dhe ato të mundet t’i plotësojnë orët.”, - deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Gjimnazi për matematikë – informatikë, konkursi është hapur, pritet zgjedhja e 8 mësuesve
 
Është hapur edhe konkursi për mësimdhënës në Gjimnazin matematiko - informatik në mënyrë që nxënësit të mos humbin mësimin në orët profesionale. 
 
“Për ato tetë vende të mësimdhënësve duhet të sigurohet punësimi i plotë i tyre, por duke parë kushtet dhe kriteret të cilat i kërkon ligji për arsim të mesëm.”, - theksoi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
 
Këto deklarata u dhanë me rastin e nënshkrimit të dy  memorandumeve me shefin e misionit të OSBE –së, Kilian Val, për vijimin e aktiviteteve në sferën e integrimit ndëretnik dhe dhënien e granteve për partneritet mes shkollave nga bashkësitë e ndryshme etnike. 
 
FLUTURA LATIFI