Maqedoni
Selmani: Vetë institucionet e nxisin korrupsionin
01.02.2023 15:37
Institucionet nuk bëjnë mjaftueshëm në betejën kundër korrupsionit...

Institucionet nuk bëjnë mjaftueshëm në betejën kundër korrupsionit dhe kultivimi i këtij fenomeni e shoqëron vendin që nga pavarësia, vlerëson profesori universitar, Bashkim Selmani. Sipas analizave, Selmani thotë se korrupsioni është i nivelit politik, ekonomik duke gëlltitur edhe gjyqësorin. Ndër vite duke lënë në haresë të gjitha tipat e korrupsionit, sikurse privatizimet pa kurrfarë llogaridhënie për dëmin e shkaktuar kolektiv e deri tek keqpërdorimet disa milionëshe të Gruevskit, sipas Selmanit kanë bërë që korrupsioni të shndërrohet në mënyrë jetese me përmasa të gjëra.
“Institucionet shtetërore kultivojnë dhe nxitin korrupsionin që kemi edhe vetë raste kur detyrohen vetë qytetarët edhe vetë shtetasit, të cilët në kontinuitet të përballen me fenomenet e këtilla. Pra, është i prekur në të gjitha nivelet, por më së tepërmi është i prekur në aspektin gjyqësor. Në qoftë se nga korrupsioni dhe kriminaliteti kapet një institucion dhe në këtë rast kur kemi sistemin e drejtësisë i cili është i detyruar që të luftojë drejtpërsëdrejti të gjithë ata personat që bien ndesh, që shkelin ligjin, ose bëjnë vepra penale të karakterit të korrupsionit ose të ndryshme, krejt kjo degjeneron dhe përfundon në institucionet më të larta shtetërore.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Lufta kundër korrupsionit, Selmani: RMV nuk e lufton dot pa ndihmë nga jashtë
Për të përmirësuar imazhin negativ, Selmani konsideron se nevojitet përpjekje e përbashkët kundrejt korrupsionit, sikurse institucionale, denoncim nga qytetarët, por edhe ndihmë ndërkombëtare.
“Maqedonia e Veriut nuk ka disponim, as vullnet, as mundësi, por as edhe seriozitet që të merret me këtë çështje që zgjidhja do të ishte që të kemi një prokuror ndërkombëtarë, po ashtu gjykatës ndërkombëtarë, që në këtë rast Evropa të ndihmojë me resurset të ekspertëve, prokurorë, gjyqtarë siç e bëri me rastin e Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe ajo do të ishte vetmja zgjidhje.”, - theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Sipas raportit të fundit të Transparensi Interneshënëll Maqedonia e Veriut shënon rezultat shqetësues sa i takon luftës ndaj korrupsionit, duke u renditur e 85-të në gjithsej 180 pozicione. Gishti për neglizhencë në zbutjen e këtij fenomeni i drejtohet sikurse gjyqësorit, por edhe qeverisë për moskrijimin e kushteve institucionale për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
MERAL ISMAILI
