Maqedoni

Zgjerimi i qeverisë, LSDM vendos të vazhdojë bisedimet me ASh-në

01.02.2023 16:08

Aleanca për Shqiptarët vazhdon negociatat për përfshirje në qeveri dhe zgjerimin e shumicës parlamentare....

Aleanca për Shqiptarët vazhdon negociatat për përfshirje në qeveri dhe zgjerimin e shumicës parlamentare, veprim, në favor të sigurimit të votave për ndryshimet kushtetuese. “Gjasat janë shumë të mëdha që të bëhemi pjesë e qeverisë”, deklaroi kreu i ASh-së, Arben Taravari, pas takimit të një dite më parë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Edhe Këshilli ekzekutiv i LSDM ka vendosur që partia të vazhdojë bisedimet dhe ka formuar grupin e punës.
 
“Si parti e përgjegjshme dhe transparente që publikon vendimet që merr në Këshillin ekzekutiv dhe të gjitha organet e tjera, kështu do të ndodh edhe kësaj here. Kur të ketë vendime konkrete dhe hapa konkrete edhe në përcaktimet programore, opinioni do të jetë i njoftuar.”, - deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.
 
Mickovski: Deputetë të shumicës mund të votojnë kundër
 
VMRO-DPMNE konsideron se zgjerimi i qeverisë vështirë se mund të ndodh pasi sipas kreut të kësaj partie, ka deputetë dhe grupacione brenda shumicës parlamentare që janë kundër dhe mund të mos votojnë qeverinë e re.
 
“Meqë ende ka struktura në grupin e deputetëve të LSDM-së dhe partive të tjera që ende përkrahin shumicën parlamentare, por reflektojnë qëndrime se nuk janë të kënaqur me këtë që po ndodh, besoj se do të kenë kurajon dhe nuk do të pranojnë propozimet e Kovaçevskit që do të nominohen për ministra.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Alternativa, si partnere e koalicionit qeverisës nuk ka mohuar qëndrimin kundër zgjerimit, megjithatë, vendimin përfundimtar pritet ta merr kryesia e partisë. Alternativa konsideron se shumica parlamentare është stabile, veçanërisht deputetët e saj brenda koalicionit qeverisës, prandaj nuk pranon të lëshoj poste për partnerin e ri dhe kërkon nga mandatari që të respektojë marrëveshjen për bashkëqeverisje. 
 
SHPËTIM NUREDINI