Botë
Nju Jork, treni përplaset me makinën, 7 të vdekur
04.02.2015 16:21
Shtatë persona raportohet të kenë vdekur dhe 12 të tjerë janë lënduar kur një tren i udhëtarëve ka goditur një makinë në veri të Nju Jorkut...

Zëdhënësi i hekurudhave, Aron Donovan, konfirmoi rastin në fjalë, i cili shtoi se nga plasja e zjarrit janë lënduar udhëtarët e tjerë.
Ndërkohë, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, konfirmoi vdekjen e shoferit të makinës dhe të gjashtë njerëzve në bordin e trenit.
“Para se të fillonin hetimet për të zbuluar të gjitha faktet për shkakun e aksidentit, mund të them vetëm se makina ishte e ndalur në binarë në momentin kur u godit nga treni, e cila rezultoi në shpërthimin e zjarrit, i cili përfshiu makinën dhe vagonin e parë të trenit. Në këtë shpërthim besohet të kenë humbur jetën vozitësi i makinës dhe gjashtë njerëz në tren. Kjo është një dhembje për të gjithë ne kur mendojmë faktin se 7 persona kanë dalë nga shtëpitë e tyre sot për të kryer obligimet e tyre ditore dhe nuk do të kthehen më në shtëpi”- deklaroi guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo.
“Është një ditë kur kemi qenë dëshmitarë të një tragjedie të vërtetë, e cila ndodhi në tren dhe përreth, të cilën asnjëherë nuk do ta harrojmë. Gjithçka u shkatërrua dhe u djeg. Një skenë e tmerrshme nga e cila jam i befasuar që shume njerëz dolën nga treni”- tha kreu i Ekzekutivit të Wetchesterit, Rob Astorino.
Autoritetet hekurudhore konfirmuan se përplasja kishte ndodhur pranë Valhallas, disa kilometra në veri të Manhatanit në Shtetin e Nju Jorkut, ku së paku 650 njerëz kanë qenë në bordin e trenit.
LEUNORA KALIQI
