Maqedoni
Rasti “I pushtetshmi”, Gjykata Kushtetuese hedh poshtë iniciativën e Antonio Milloshoskit
01.02.2023 17:44
Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e Antonio Milloshoskit për rastin “I pushtetshmi”...

Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e Antonio Milloshoskit për rastin “I pushtetshmi”, pasi konstatoi se nuk janë përmbushur supozimet procedurale nga dispozitat e Rregullores së Punës së Gjykatës.
Në sqarimin e Kushtetueses thuhet se “Parashtruesi i kërkesës paraqet kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave dhe si akt me të cilin i janë cenuar liritë dhe të drejtat e tij, ka bashkëngjitur aktakuzën dhe vendimin me të cilin aktakuza është miratuar në tërësi. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se aktakuza nuk është akt individual që vendos për liritë dhe të drejtat individuale të qytetarëve, përkatësisht për kufizimin apo heqjen e lirive dhe të drejtave të caktuara të garantuara me Kushtetutë, por është parashtrim, gjegjësisht akt procedural i njëanshëm, që është bazë për zhvillimin e procedurës penale.”, - sqaron Gjykata.
Në rastin “I pushtetshmi” për veprat “mashtrim” u akuzuan Milloshoski dhe babai i tij, si dhe ish-kryetari i Makedonski Brod, Millosim Vojneski, ndërsa ish-kryetari i Komisionit të Lustracionit, Tome Axhiev dhe nëntë anëtarët, u akuzuan për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe kompetencave.
Lënda kishte të bënte me shitjen e pronës (ndërtesë prej 157 metrash katrorë dhe oborr prej 3.920 metrash katrorë) në fshatin Izhishtë, e cila ishte në pronësi të Komunës së Makedonski Brodit dhe në shfrytëzim të Komunës së Plasnicës. Prona i është shitur babait të deputetit. Dëmi që i është bërë Komunës së Makedonski Brodit dhe buxhetit të shtetit, sipas prokurorisë është rreth 50.000 euro.
