Në Kuvendin e Serbisë sot diskutohet për dialogun dhe planin franko-gjerman
Në Kuvendin e Serbisë....

Në Kuvendin e Serbisë, më 2 shkurt, do të mbahet seanca e posaçme parlamentare për Kosovën. Në atë seancë është ftuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Pritet që ai të flasë për rrjedhën e dialogut dhe propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Çfarë është në rendin e ditës?
Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023.
Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë.
Në atë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Çka është plani franko-gjerman?
Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çfarë ka deklaruar Vuçiq për planin franko-gjerman?
Më 20 janar, presidenti i Serbisë u takua me ekipin diplomatik evropian-amerikan në Beograd.
Pas bisedës me këtë ekip, ai deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë për zbatimin e planit evropian.
Tri ditë më vonë, ai informoi opinionin se ekipi i diplomatëve i kanë thënë se, në rast se nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballej me ndalimin e integrimeve evropiane dhe investimeve, si dhe se do të rrezikohej regjimin pa viza me BE-në.
Cili është qëndrimi i opozitës pro-evropiane?
Përfaqësuesit e partive opozitare pro-evropiane në Kuvendin e Serbisë kanë thënë se, para se të vendoset nëse do ta mbështesin planin franko-gjerman, është e nevojshme që autoritetet në Serbi ta publikojnë atë.
Ata këmbëngulin që të njihen me propozimin e Brukselit për Kosovën, në mënyrë që të deklarohen për të.
Ky bllok i partive ka 51 deputetë.
Cili është qëndrimi i opozitës së djathtë?
Blloku i partive opozitare me orientim të djathtë, të përfaqësuara në Kuvendin serb, ka paralajmëruar një tubim “të madh kombëtar” kundër propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën.
Për ta, propozimi franko-gjerman është “kapitullim” dhe “dorëzimi i Kosovës”.
Partitë e djathta opozitare në parlament, Dveri, koalicioni NADA (Shpresa) dhe Zavetnici (Të betuarit), kanë 35 deputetë.
Çfarë pritet nga Beogradi dhe Prishtina?
Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces.
Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve.
Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin.
Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh.
Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione.
