Ukrainë, Rusia po përgatit ofenzivë më 24 shkurt
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov....

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, thotë se Rusia po përgatit një ofensivë të madhe më 24 shkurt.
Ai tha se Moska kishte grumbulluar mijëra trupa dhe se mund të "provojë diçka" për të shënuar përvjetorin e pushtimit, që nisi në shkurt të vitit të kaluar.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë bërë të ditur se do të dërgojnë tanket Abrams, respektivisht Leopard, në Ukrainë.
Ukraina ka thënë se këto tanke do t’i ndihmojnë që të përballet me ndonjë ofensivë potenciale të Rusisë në pranverë.
Zelensky ka thënë se shtetit të tij do t’i duhen të paktën 300 tanke Leopard për të mposhtur Rusinë. Shumë shtete evropiane kanë tanke Leopard 2 në inventarët e tyre, dhe vendimi gjerman nënkupton se disa shtete mund të bëjnë dërgesa në Ukrainë.
Gjermania ka paralajmëruar se rreth 90 tanke të tilla do të dërgohen në fushëbetejë. Edhe Izraeli është shprehur i gatshëm të dërgojë në Ukrainë sistemin e mbrojtjes kundër raketave, Iron Dome.
Ndërkohë Ministria e Jashtme e Austrisë ka dëbuar katër diplomatë rusë për veprime që bien ndesh me statusin e tyre diplomatik. Ministria tha se diplomatët duhet të largohen nga vendi deri më 8 shkurt.
