Kuvendi i Serbisë diskuton për dialogun me Kosovën dhe propozimin e BE-së
Në Kuvendin e Serbisë...

Në Kuvendin e Serbisë mbahet sot seanca e posaçme parlamentare për Kosovën.
Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023. Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë, por në të nuk përmendet propozimi europian.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha më herët se nuk ka një afat kohor për pranimin e planit, dhe se nuk beson se gjatë seancës do të arrihet unitet politik.
Sipas mediave serbe, në raportin që do të prezantohet për deputetët, theksohet se nga shtatori në janar ka pasur përshkallëzim të krizës dhe po ashtu të diskriminimit sistematik dhe dhunës kundër serbëve në Republikën e Kosovës, dhe vlerësohet se përgjegjësinë për situatën e ka Prishtina.
Thuhet gjithashtu se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kërkesa që asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet sa më shpejt dhe që qeveria të fokusohet te mbrojtja e menjëhershme e sigurisë së pakicës serbe në Kosovë.
