Maqedoni

Moti me shi, bien tre ortekë në Dibër

04.02.2015 17:05

Zbutja e temperaturave dhe reshjet e shiut të mbrëmshëm kanë bërë që në aksin rrugor Dibër-Mavrovë në afërsi të kishës së “Shën Bigurit”...

Zbutja e temperaturave dhe reshjet e shiut të mbrëmshëm kanë bërë që në aksin rrugor Dibër-Mavrovë në afërsi të kishës së “Shën Bigurit” brenda ditës të bien tre ortekë dhe atë në mënyrë të vazhdueshme dhe në të njëjtin vend.
 
Sipas shefit të Njësisë së Dibrës “Rrugët e Maqedonisë”, Astrit Çutra, një ortek bore rrëshqiti nga majëmali dhe pikërisht sapo hapën një korsi, sërish filloi të rrëshqasë një ortek tjetër dhe kështu ndodhi edhe herën e tretë. Çutra nënvizoi se aktualisht një korsi e rrugës është e hapur  për makina dhe kalimtarët e rastit.
 
I njëjti në këtë moment kërkoi më shumë përkrahje me makineri për pastrimin e masivit të madh të dëborës nga komunat e Dibrës, Rostushit dhe Zhupës, si dhe nga Njësia për Shpëtim dhe Menaxhim me Krizat.
 
Nuk është hera e parë që kjo zonë është goditur nga ortekë të borës, por deri më tani nuk janë shkaktuar viktima në njerëz.
 
Orteku i javës së kaluar që ishte mbi 1 mijë kubik dëborë dhe ata të ditës së sotme, sipas Astrit Çutrës, kjo rrugë paraqet rrezikshmërinë e vet të radhës. 
 
ATLI DEMA