Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10, RMV-ja nënshkroi marrëveshjen me IRD - Engineering
Ka nisur procesi i negociatave....

Ka nisur procesi i negociatave me konsorciumin amerikano-turk “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër seksioneve të autostradës me gjatësi mbi 120 kilometra në korridoret 8 dhe 10-d, ndërsa gjatë vitit pritet të nisin aktivitetet e ndërtimit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se bëhet fjalë për projektin më të madh kapital në historinë e vendit.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, ne vazhdojmë të konsolidojmë vendosmërinë tonë si qeveri që autostradat, rrugët dhe infrastruktura në vendin tonë janë një nga prioritetet kryesore që do të vazhdojmë të fokusohemi edhe këtë vit.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Ditë historike e cilësoi edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
“Sot është vërtet një ditë historike për Maqedoninë e Veriut, siç tha kryeministri, ne po fillojmë ndërtimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e Republikës së pavarur të Maqedonisë, i cili do të jetë shumë domethënës për të gjithë qytetarët tanë, për ekonominë tonë dhe për lidhje rajonale.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.
IRD - Engineering është përzgjedhur si firmë këshilluese për mbikëqyrjen e transaksioneve që premtoi cilësi në ndërtim.
“Do të bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme për ndërtimin e katër seksioneve me standardin dhe cilësinë më të lartë, që korrespondojnë me cilësinë e rrugëve që po ndërtohen në BE. Nuk kam dyshim se kemi njohuritë dhe ekspertizën e nevojshme për të siguruar shërbimet mbikëqyrëse.”, - u shpreh drejtori i IRD – Engineering, Paolo Orsini.
Me këtë projekt është planifikuar ndërtimi i autostradave: Trebenishtë-Strugë- Qafëthanë 22.5 kilometra, Gostivar-Bukojçan 30.1 kilometra, Tetovë- Gostivar 27 kilometra dhe seksioni nga Korridori -10 d Prilep-Manastir 43.4 kilometra.
Për këtë qëllim në buxhetin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve janë paraparë 15 miliardë denarë apo 244 milionë euro, tha ministri i Transportit, Bllagoj Boçvarski.
Qeveria vitin e kaluar nënshkroi memorandum me “Behtel dhe Enka”, ndërsa Kuvendi solli Ligj për konstatimin e interesit publik dhe nominimin e tij për partner strategjik për këtë projekt. (Naim Ramadani, TVM2)
