Kurti: Asociacioni në përputhje me kushtetutën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar sot gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe mund të zbatohet vetëm pas marrëveshjes finale, është shprehur Kurti gjatë seancës plenare.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi në RK. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimi horizontal të komunave sipas kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje, kreu 5”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai më pas kërkoi që të drejtat e pakicave të bëhen në parimin e reciprocitetit, duke nënkuptuar këtu që çfarëdo e drejte e serbëve në Kosovë të jetë edhe për shqiptarët në Serbi. Kërkoi edhe shuarjen e strukturave ilegale në veri.
“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtëse përkatëse duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjithë armëve ilegale.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti: Serbia të mos pengojë aplikimin për në BE
Kryeministri i Kosovës, kërkoi që Serbia të pranojë kartën e OKB për raportet ndërshtetërore, si dhe të mos pengojë aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës dhe presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara të pesë shtete anëtare të BE dhe tek të tjerat për mos pranimin e aplikimin të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2019.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. (Safet Ademi, TVM2)
