Maqedoni

LSDM-ja do të vendos për “shpërthimin e bombave” të premten

04.02.2015 17:07

Asnjë “bombë” nuk pritet të shpërthejë deri ditën e premte. Për kohën e publikimit të fakteve dhe dëshmive kundër qeverisë...

Asnjë “bombë” nuk pritet të shpërthejë deri ditën e premte. Për kohën e publikimit të fakteve dhe dëshmive kundër qeverisë, që lideri i opozitës pretendon se i ka në dispozicion, do të vendos Këshilli Qëndron i LSDM-së në seancën e caktuar për më 6 shkurt në orën 18.
 
“Në harmoni me dispozitat e statutit, vendime të veçanta me rëndësi të posaçme merr Këshilli Qendror i LSDM-së”- deklaroi Petre Shilegov nga LSDM.
 
Sipas Shilegov, ndalesa për publikimin e materialeve nga ana e Prokurorisë Publike nuk ka të bëjë me dëshmitë dhe materialet që ka LSDM-ja në dispozicion, të cilat do të publikohen para opinionit.
LSDM-ja vlerëson se Prokuroria Publike me qëllim ka lëshuar kumtesë konfuze për të penguar publikimin e materialeve që ka LSDM-ja. 
 
“Ndalesa për të cilën flet Prokuroria Publike nuk ka të bëjë me mediat dhe gazetarët që do të publikojnë dëshmitë me të cilat disponon LSDM-ja. Prandaj vlerësojmë se kumtesa, qëllimisht konfuze, e Prokurorisë Publike nuk është asgjë tjetër përveçse përpjekje shterpë për të penguar dëshmitë dhe dokumentet për qeverisjen kriminale të Nikolla Gruevskit dhe disa individëve rreth tij. Ligji për Procedurë Penale nuk ndalon publikimin e materialeve që mund të shqyrtohen në procedurën e mëtejshme”- tha Shilegov.
 
Siç duket, më herët se opinioni vendas të huajt do të mësojnë përmbajtjen e të ashtuquajturave “bomba”.  
 
Lideri i opozitës, Zoran Zaev, ka pritur zëvendës-ndihmës sekretarin shtetëror të Byrosë për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë pranë DASh-it, Tomas Melian, dhe u.d. së ambasadorit të ShBA-ve në Maqedoni, Bart Putnej.
 
Zaev ka shprehur shqetësimin se pushteti po përpiqet, me procedurë të montuar politikisht, ta pengojë atë në publikimin e argumenteve dhe fakteve për qeverisjen kriminale. 
 
“Argumentet dhe faktet që kemi në disponim janë siguruar nga shërbimet e Republikës së Maqedonisë, nga patriotë të afërt me pushtetin aktual, të cilët e duan vendin e vet. Ne na janë dorëzuar, pasi nuk i besojnë sistemit gjyqësor, i cili është nën kontroll të plotë të pushtetit”- thuhet në kumtesën e LSDM-së.  
 
Lidhur me publikimin e videos së regjistruar në kabinetin e kryeministrit Gruevski, Zaev vlerëson se është bërë vepër penale, pasi kjo dëshmon se ai, si lider i opozitës, po përgjohet. Prandaj, LSDM-ja kërkon nga prokuroria që të ngre procedurë penale kundër kryeministrit, Nikolla Gruevski. 
 
SHPËTIM NUREDINI