Botë

Vuçiq, me propozim për kontestin me Kosovën, ka pasur një incident me opozitën

02.02.2023 16:00

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij në seancën e Kuvendit Popullor ku diskutohet për Kosovën...

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në seancën e Kuvendit Popullor ku diskutohet për ecurinë e dialogut dhe propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kërkoi unitet për Kosovën, por në vend të kësaj ndodhi një incident në Kuvend kur deputetët e Opozitës së Djathtë, bënë thirrje për të mos dhënë Kosovën dhe për tradhti. Ata kanë shkuar te Vuçiqi, me ç'rast ka pasur përplasje verbale dhe fizike me deputetët e partisë përparimtare serbe. Kësaj i ka paraprirë fjalimi i Vuçiqit, i cili tha se plani i fundit evropian nuk është publikuar dhe se pjesa më e vështirë është pika 4, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
 
“Sot do të flas dhe do të vë në dukje të gjitha pikat më të këqija të së ashtuquajturës nismë franko-gjermane dhe nuk do të fsheh asgjë. Pra, nuk do t'ju tregoj disa gjëra më të bukura nga plani, por do të flas për më të vështirat dhe më të këqijat për Serbinë, sepse dua të jem i përgjegjshëm dhe i drejtë ndaj qytetarëve të Serbisë, që populli i Serbisë ta dijë. se as presidenti, as qeveria e tyre, as parlamenti i tyre nuk kanë asgjë për t'u fshehur prej tyre. Sot jemi dëshmitarë të një lloj lufte të tretë botërore, e cila do të jetë më e gjerë në muajt në vijim. Ky konflikt do të bëhet më i ashpër dhe më i madh.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 
 
Presidenti serb, në Kuvend prezantoi dhjetë pikat për politikën e Serbisë në periudhën e ardhshme. Serbia do të ruajë paqen dhe stabilitetin, do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, do të kujdeset për sigurinë e serbëve në Kosovë, do të jepen 900 milion euro për serbët e Kosovës, do t’i vazhdojnë negociatat, do të ruajë neutralitetin ushtarak, si dhe mundësinë e vendimmarrjes së pavarur dhe do të qëndrojë në rrugën evropiane.

FITIM KRYEZIU