Maqedoni
MASH-SASHK, marrëveshja definitive më 15 mars
04.02.2015 17:54
Marrëveshja e arritur mes MASH-it dhe SASHK-ut rezultoi me vendimin për ndërprerjen e grevës...

Ngrirja e dënimeve dhe shpërblimeve për mësimdhënësit si rezultat i testimit ekstern, vazhdimi i negociatave për rishikimin e pagave për mësimdhënësit, lehtësimi i punës administrative janë premtimet që iu bënë SASHK-ut, këshilli i të cilit vendosi ndërprerjen e grevës.
Sipas kryetarit të SASHK-ut, Jakim Nedellkov, negociatat me MASH-in do të vazhdojnë në kontinuitet.
“Deri më 31 mars, me MASH-in u dakorduam që të modifikohet sistemi i shpërblimeve dhe dënimeve nga testimi ekstern. Mësimdhënësit, të cilët ishin në listën e të dënuarve apo shpërblyerve, pagën do ta marrin pa korrigjime, do të tërhiqen dënimet dhe shpërblimet. Do të vazhdojnë negociatat për model të ri të testimit ekstern. Rreth kërkesës për rritjen e pagave u arrit marrëveshje që në negociatat të kyçet edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, në afat dymujor të korrigjohen rrogat në sferën e mbrojtjes së fëmijëve dhe arsimit fillor. Të tërhiqen disa dispozita dënimesh për mësimdhënësit dhe të vogëlohet puna administrative me ditarët elektronik”- deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
Ndërkohë, ministri i Arsimit dhe Shkencës thotë se do të respektojë marrëveshjen e arritur me sindikatën dhe dialogu social do të vazhdojë.
“Marrëveshja ka të bëjë me ngrirjen e dënimeve dhe shpërblimeve për mësimdhënësit në arsimin fillor dhe të mesëm deri në arritje të marrëveshjes definitive me sindikatën, por jo më vonë se 15 marsi i këtij viti. Gjithashtu jemi dakorduar që të gjitha dënimet në arsimin fillor dhe të mesëm të ulen, sepse kemi konsideruar se janë të larta dhe do të ketë revidim. Gjithashtu jemi dakorduar që të vazhdojnë bisedimet për rritjen e pagave në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave dhe të thjeshtohet evidenca pedagogjike”- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Edhe pse greva zyrtarisht është ndërprerë, në disa shkolla vazhdon bojkoti për shkak të paqartësive rreth realizimit të marrëveshjes. Por, numri më i madh i shkollave respekton marrëveshjen e arritur.
“Nuk mund të ketë marrëveshje pa definime të çështjeve, sepse për ato kërkesa nuk ka asgjë kushtimisht”- theksoi kryetari i Sindikatës nga SHF “Dituria”, Ramadan Sejfullahu.
“U arrit marrëveshje që dënimet momentalisht të ndërpriten, mos të ketë as të shpërblyer as të dënuar. Për rrogat na ka caktuar afat deri më 15 mars”- u shpreh kryetari i Sindikatës nga “Adem Jashari”, Zekirija Livareka.
Nga Ministria e Arsimit thonë se prej momentit të ndërprerjes së grevës, mësuesit që nuk do të paraqiten në punë tre ditë, apo do të vazhdojnë grevën, ekziston mundësia të përjashtohen nga puna, ndërsa orët e humbura gjatë grevës do të zëvendësohen.
FLUTURA LATIFI
