Botë

Sulme ruse në Ukrainë, Kramatorsk, viktima dhe të plagosur

02.02.2023 18:08

Dy persona u vranë dhe 21 persona u plagosën, 8 prej tyre janë në gjendje kritike...

Dy persona u vranë dhe 21 persona u plagosën, 8 prej tyre janë në gjendje kritike, si pasojë e sulmit me raketa ruse në një lagje banimi me civil në Kramatorsk. Sulmi dëmtoi tetë ndërtesa banimi dhe shkatërroi njërën prej tyre. Shërbimet e emergjencës kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja. Numri i viktimave mund të rritet sepse dhjetëra persona konsiderohen të zhdukur.
 
“Njerëz paqësorë vdiqën dhe janë nën rrënoja pas sulmit me raketa. Ky është realiteti i përditshëm i jetës në vendin tonë. Një vend ku e keqja nga dora e pushtuesit nuk ka të ndalur.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
"Bum! Shpërtheu. Në atë moment unë isha me macen time duke parë TV. Menjëherë vrapova drejt dhomës së gjumit dhe pash që aty nuk kishte më dritare, ishin thyer. Dhoma ishte tërësisht e shkatërruar. Pastaj, pashë operativët që erdhën menjëherë, zjarrfikësit po bënin gjithçka shpejt.", - theksoi banori i një blloku apartamentesh, Leonid Klunnyi. 
 
"Pas 40 minutash, mbërritëm dhe ngritëm një tendë për të shtruar vakte të ngrohta dhe çajra për vendasit dhe ekipet e emergjencës, të cilët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Ne do të qëndrojmë këtu derisa të mbarojë kjo, për aq kohë sa do të këtë nevojë - një ditë, dy, tre. Nesër në mëngjes do t'u ofrojmë ushqime të ngrohta njerëzve të prekur nga kjo tragjedi: supa, sanduiçe, çajra.", - u shpreh një vullnetar, Serhii Onyshchenko. 
 
Kramatorsk është qytet në rajonin e Donetskut, ku separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014 kanë kontrolluar pjesë të rajonit industrial lindor, duke përfshirë këtë qytet. Moska tani kërkon të pushtojë të gjithë rajonin pasi e shpalli atë pjesë të Rusisë vitin e kaluar.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU