Maqedoni

Komiteti i Helsinkit: po bëhen përpjekje për të mbuluar veprat penale

04.02.2015 17:56

Ndalesën e Prokurorisë Publike që mediat mos të publikojnë incizime nga takimi i Kryeministrit Gruevski me liderin e opozitës, Zoran Zaev...

Ndalesën e Prokurorisë Publike që mediat mos të publikojnë incizime nga takimi i Kryeministrit Gruevski me liderin e opozitës, Zoran Zaev, si dhe materialeve që mund të jenë subjekt i procedurave të mëtutjeshme penale, kryetari i ZNM-së, Naser Selmani, e cilëson si kërcënim ndaj gazetarëve dhe censurë të drejtpërdrejtë mbi mediat.
 
Sipas tij, gazetarët nuk kanë vetëm të drejtë, por edhe obligim që të shpalosin informacione për vepra penale dhe të parandalojnë që publiku të manipulohet nga forca e pushtetit. 
 
“Këto kërcënime të prokurorisë janë të pakuptimta, sepse në mënyrë të pashembullt kërkojnë të pezullojnë rolin e medias si korrektor i pushtetit në një shoqëri demokratike. Përkujtojmë prokurorinë se Kushtetuta e Maqedonisë është shumë e qartë. Ajo në nenin 16 ndalon censurën dhe garanton lirinë e fjalës, të shprehjes publike, informimit publik, si dhe qasjen e lirë të informatave, lirinë e pranimit dhe të shpërndarjes së informative. Prokuroria mund të ftojë të mos publikohet material për ndonjë hetim që është në rrjedhë e sipër, mirëpo të kërkohet të mos botohen materiale që mund të jenë objekt i ndonjë procedure penale është absurde dhe paraqet keqpërdorim të rëndë të institucionit”- tha kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
 
Edhe Sindikata e pavarur e Gazetareve të Maqedonisë thotë se esenca e parimit themelor të gazetarisë është raportimi në interes të publikut dhe respektimi i të drejtës kushtetuese që publiku të jetë i informuar. 
 
Nga Komiteti i Helsinkit thonë se sipas nenit 18 të Ligjit për Vepër Penale, prokuroria është e obliguar që të ndërmarrë përndjekje penale nëse ekzistojnë dëshmi për vepër të kryer penale. 
 
“Prokuroria Themelore Publike në vend që të njoftonte marrjen e masave hetimore për publikimin dhe shpërndarjen e filmimeve të takimit Gruevski-Zaev, paralajmëroi pasoja ligjore për ata që do të publikojnë materialet e opozitës. Prokuroria nuk po vepron në bazë të ligjit për të hetuar autorët e filmimeve të takimit të dy liderëve dhe se, në vend të kësaj, po merret me mënyrën se si ato filmime kanë dalë në opinion”- tha kryetari i Komitetit të Helsinkit, Gordan Kallaxhiev.
 
Sipas KH-së, deklaratat e prokurorisë mund të interpretohen edhe si përpjekje për të mbuluar veprat penale. 
 
SANIJE KASAMI