Maqedoni
KShPK, të ndiqet penalisht Ganiu dhe Mojsovski
03.02.2023 15:21
Komisioni për parandalimin e korrupsionit kërkon ndjekje penale për kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu...

Komisioni për parandalimin e korrupsionit kërkon ndjekje penale për kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu, për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare. Sipas Antikorrupsionit, Visar Ganiu me vetëdije tre vite nuk i është përgjigjur urgjencave të Inspektoratit shtetëror të ndërtimtarisë dhe Komisionit shtetëror për parandalimin e Korrupsionit, duke mundësuar ndërtimin e objektit ilegal në lagjen Dyqanxhik. Në atë periudhë, investitori i panjohur ka kërkuar dhe ka legalizuar objektin. Sikur të kishte reaguar komuna në kohë, objekti do të rrënohej, thonë nga Antikorrupsioni.
“Duke pasur parasysh se kërkesat për veprim janë pranuar nga Komuna, tregon se organet kompetente janë njoftuar për ndërtimin pa leje të objektit, megjithatë pasi që nuk është vepruar në bazë të kompetencave ligjore, është mundësuar përfitim për investitorin e objektit.”, - deklaroi anëtari i KShPK, Vlladimir Georgiev.
“Kjo nuk është hera e parë, kemi edhe një lëndë që është në Komisonin për kundërvajtje, ku ashtu në mënyrë të njëjtë injoron.”, - theksoi anëtari i KShPK, Goran Trpenovski.
Antikorrupsioni ndjekje penale kërkon edhe për drejtorin e Agjencisë për të rinj dhe sport, Naumçe Mojsovski dhe anëtarët e komisionit qendrorë, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të sistemit për vauçerë për financimin e fondeve dhe klubeve sportive. Me këtë sipas KShPK-së, miljardë denarë që çdo vit janë ndarë nga buxheti, nuk kanë përfunduar në vendin e duhur dhe me këtë janë dëmtuar edhe subjektet që kanë pasur të drejtë për këto mjete.
“Kërkojmë model që do të jetë i drejtë për të gjithë dhe do t'i anashkalojë të gjitha gjërat subjektive që janë të pranishme. Financimi përmes letrave me vlerë siç janë vauçerët, krijon rreziqe të larta për korrupsion.” – u shpreh kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
Theksuan se për këtë do të kërkojnë përgjegjësi edhe nga qeveria, e cila i ka emëruar, ndërsa nga Drejtoria e të ardhurave publike mbikëqyrje të përforcuar për shfrytëzuesit e vauçerëve.
Ndërkohë, në letrën e hapur dërguar zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska, Komiteti Olimpik i Maqedonisë, kërkon shkarkimin e Mojsovskit nga kreu i AGJS-së dhe anëtarët e Komisionit Qendror në Agjenci dhe kërkojnë që në pozitat e tyre të emërohen profesionistë, të cilët do t’i zbatojë kriteret për ndarjen e fondeve për objektet sportive. Njëherit kërkojnë që të ndalojë procedurën e dhënies së vauçerëve për vitin 2023, e cila aktualisht është në proces. Rreth kësaj çështje, Mojsovski ka paralajmëruar press-konferencë gjatë ditës së hënë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
