Maqedoni

Rriten masat e sigurisë për përvjetorin e Delçevit, Kovaçevski: Do ndalohen ata që përbëjnë rrezik

03.02.2023 15:37

Në vigjilje të manifestimit të 4 shkurtit, përvjetorin e 151-të të lindjes së Goce Delçevit....

Në vigjilje të manifestimit të 4 shkurtit, përvjetorin e 151-të të lindjes së Goce Delçevit, shteti ka ndërmarrë të gjitha masat për evitimin e çdo incidenti të mundshëm. Autoritet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe të mos marrin përsipër detyrat e institucioneve. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, thotë se nuk do të lejohet hyrja e shtetasve bullgar për të cilët institucionet kanë njohuri se përbëjnë rrezik për paqen, sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
 
“Një person i tillë nuk do të lejohet të hyjë në shtet. Këto vendime merren në harmoni me Ligjin për të huaj, konformë informacioneve që disponon Ministria për Punë të Brendshme, në ditën e ngjarjes ose në ditët para ngjarjes.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Spasovski fton qytetarët mos bien në provokime
 
Rritjen e nivelit të sigurisë e konfirmon edhe ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski. Ky i fundit ftoi subjektet politike vendore të tregohen të kujdesshme dhe të evitojnë retorikën, kinse, patriotike e që në fakt mund të dëmtojë interesat e vendit. 
 
“Dua të përcjell porosi të qartë deri te partitë politike dhe politikanët. Të jemi të përgjegjshëm në këtë proces pasi papërgjegjshmëria nuk është në favor të qytetarëve dhe shtetit. Paqja dhe stabiliteti është përgjegjësia e secilit prej nesh. Braktisni politikën për “Institute patriotike” të ndryshme dhe atë se çfarë mund të bëjnë ato.”, - njofton Spasovski.
 
Osmani me thirrje për dinjitet dhe nderime paqësore
 
Mesazh për shënim të qetë dhe me dinjitet të 4 shkurtit edhe nga ministri jashtëm, Bujar Osmani. Thekson se çdo shtetas bullgar është i mirëseardhur, por kërkon që të sillet me respekt ndaj popullit maqedonas.
 
“Më 4 shkurt kur përkulemi para varrit të Goce Delçevit, përkulemi para vizonit të tij për garë kulturore mes popujve. Bëj thirrje për dinjitet, nderime paqësore në ditën kur respektojmë idealin e tij për shoqëri progresive, për ndërtimin e vlerave civilizuese.”, - theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Frika për incidente të mundshme në përvjetorin e lindjes së Goce Delçevit vjen pas kërcënimeve nga individë të politikës bullgare, incidentit në Ohër ku u sulmua një shtetas bullgar, si dhe vlerësimin e presidentit Stevo Pendarovski, i cili shënimin e 4 shkurtit e cilësoi si ngjarje me rrezik të lartë.   
 
SHPËTIM NUREDINI