Maqedoni
KSL: Nuk respektohen të drejtat e punëtorëve
03.02.2023 15:49
Një numër i madh punëtorësh ende nuk e dinë se çfarë mbulon Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë....

Një numër i madh punëtorësh ende nuk e dinë se çfarë mbulon Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, për kë zbatohet dhe çfarë të drejtash kanë. Në analizën e Konfederatës së Sindikatave të Lira në bashkëpunim me Qendrën e Solidaritetit, vihet në dukje që ligji tregon mosfunksionim të pjesshëm.
“Para se gjithash u nisëm nga ajo se si respektohet, gjegjësisht se si implementohet ligji i cili në këtë formë është në fuqi që nga viti 2007. Vërejtëm se në Maqedoni, punëtori vdes në vend të punës, punëtori lëndohet në vend të punës, punëtori sëmuret profesionalisht.”, - theksoi autori i analizës, Millan Petkovski.
“Në këtë shtet nuk respektohet asnjë ligj nga pjesa e të drejtave të punëtorëve dhe se ky ligj është në atë nivel të respektimit, sikurse ligjet tjera.”, - u shpreh Bllagoja Rallpovski nga Konfederata e Sindikatave të Lira.
Siguria e punëtorëve në fakt është edhe një ndër shkaktarët kryesor që punonjësit të emigrojnë nëpër vendet evropiane. Ata janë të pasigurtë për të ardhmen e tyre në punë dhe për kushtet që atyre u ofrohen.
“Shkaku për braktisjen e vendit nga ana e punëtorëve, nuk janë financat. Sipas analizave të marra nga opinioni ndërkombëtar, financat janë vetëm një segment. Në fakt, shkaqet kryesore janë jostabiliteti dhe paqartësia e sistemit në këtë shtet.”, - deklaroi ish-ministrja e punës dhe politikës sociale, Rashella Mizrahi.
“Diku rreth 50%, aspak nuk janë të njoftuar me rolin e tyre. Aspak nuk janë të njoftuar me atë se çfarë ata duhet të bëjnë dhe para kujt të përgjigjen.”, - u shpreh Darko.
Punëtorët apelojnë që përveç sindikatave dhe punëdhënësit të kujdesen për të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve. Shpresojnë që kjo analizë do të kontribojë në përmirësimin e gjendjes momentale.
BELINDA KOKA ADEMI
