Maqedoni

Ahmeti dhe Grupi i zjarrit, takime të ndara me anëtarët dhe simpatizuesit

03.02.2023 16:29

Vazhdojnë takimet e ndara dhe përplasjet mes ministrave të BDI-së në krye me Ali Ahmetin...

Vazhdojnë takimet e ndara dhe përplasjet mes ministrave të BDI-së në krye me Ali Ahmetin dhe të pakënaqurit e kësaj partie që në opinion njihen si “Grup i zjarrit”. Ahmeti tha se tani janë faktor vendimtar në Maqedoni dhe se BDI është gjaku i shqiptarëve të burgosur, të vdekur, është mundi i intelektualëve dhe se nuk e lë anijen pa e futur BDI-në në rrugën e reformës. Duke folur për zhvillimet brenda BDI-së, Ahmeti tha se 20 vite përballet me kërkesa për heqje dhe emërime të funksionarëve, gjë që është e panevojshme. Ai i sugjeroi grupit të zjarrit përdorimin e aspirinës, sepse sipas tij situata  e krijuar është një grip.  
 
“Unë që 20 vjet jam në hall me këto pune. Largoje këtë, vendose këtë. Kulturë e një kombi është që kur emërohet një funksionar duhet të mbështetet, sepse mandati është katër vjet, pas katër viteve vjen ura e Siratit! Kjo që ndodh është një grip, le të përdorin aspirina, sepse nuk është e dobishme. Neve na duhet unitet, sepse asnjë punë nuk bëhet vetë. Duhet harmonizim dhe të bashkohemi për një front pro BE, ndaj unë jam përpjekur ti afroj partitë politike, sepse jemi pak, ndaj nuk duhet dobësuar, por të bashkuar për Evropë.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Në fjalën e tij Ahmeti e përmendi edhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai tha se duke ndërtuar frontin pro-evropian i bashkojnë proceset progresive, sipas standardeve të reja, kështu që as Mickoski dhe as shqiptarët që punojnë përkrah Mickoskit mos ta pengojnë këtë, sepse ne jemi për përparim, jo për regres. Ndërsa të pakënaqurit e BDI-së nuk e përjashtojnë mundësinë për krijimin e një partie të re, nëse BDI-ja nuk i merr parasysh kërkesat e tyre. Izet Mexhiti, sqaron se ata nuk i mbajn takimet ndaras për të fituar poste, por sepse nuk duan që BDI t’i humb zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 
 
“Duke vrapuar për të bërë akrobacione për 81, ne po e destabilizojmë BDI-në, qeverinë dhe po e destabilizojmë rrugën për në BE, mund te mos kemi as 61. Na thanë keni gabuar hajde te shpija, por dera e shtëpisë është e mbyllur, kemi mbet në oborr. Prandaj, jemi në oborrin e Gostivarit dhe  do të shkojmë në oborret e qyteteve tjera për të gjetur rrugëdaljen nga ky qorrsokak që kemi hyrë.”,  - theksoi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
 
Ata mbeten në qëndrimin për të vazhduar takimet me anëtarët dhe simpatizuesit e pa kënaqur të BDI-së. 

SANIJE DURAKI