Jabllanoviq: Do të bisedojmë me kryeministrin tonë Vuçiq

05.02.2015 14:30

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Guriq, do të bisedojnë sot me përfaqësuesit serbë të Kosovës...

Temë bisede e tyre do të jetë pjesëmarrja e mëtejme në institucionet e Kosovës.

Ministri i ndërruar për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, më herët kishte thënë se do të ketë konsultime me kryeministrin serb. "Para së gjithash do të bisedojmë me kryeministrin tonë, Aleksandar Vuçiqin, e pastaj brenda “Listës Srpska” do të ketë konsultime dhe do të merret qëndrim”- i ka thënë Jabllanoviqi Agjencisë serbe të Lajmeve “Beta”, transmeton “Koha.net”.

Takimi në Beograd është thirrur pasi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ndërruar ministrin, Aleksandar Jablanoviqin, nga pozita e ministrit në Ministrinë për Komunitet dhe Kthim. Jabllanoviq është edhe lider i “Srpska”-s, e cila në Kuvendin e Kosovës ka 9 deputetë, ndërsa deri para ndërrimit, dy ministra dhe një zëvendëskryeministër.

Ndërrimi i Jabllanoviqit është bërë pas fyerjeve që ai ua bëri nënave gjakovare të viktimave të luftës dhe pas presionit të madh e protestave të opozitës.