Maqedoni

Strugë-Ohër, shumë hotele të mëdha kanë vënë çelës në derë

05.02.2023 18:29

Të gjitha hotelet e mëdha në përreth liqenit në Strugë dhe Ohër...

Të gjitha hotelet e mëdha në përreth liqenit në Strugë dhe Ohër kanë vendosur çelës në derë. Ato do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri në fund të marsit. Arsyeja kryesore është kriza energjetike. Shoqata e hotelerisë HOTAM thotë se është e pamundur të mbulohen faturat e larta të energjisë elektrike, të cilat kapin mijëra euro në muaj.
 
“Diçka duhej bërë duke pasur parasysh koston e shtrenjtë të energjisë, të gjitha rritjet e çmimeve që kishim dhe gjithmonë muajt janar, shkurt dhe mars janë sezoni ynë më i ulët, ku kemi shpenzimet më të larta dhe më pak të ardhura. Dhe ishte logjike të mbylleshin ata muaj”, u shpreh kryetari i HOTAM, Kërste Blazheski.
 
Punonjësit në sektorin e hotelerisë momentalisht janë pa punë. Disa shfrytëzojnë pushimet dhe do të marrin rrogën e plotë, të tjerë do të qëndrojnë me 70% pagë deri në fillim të sezonit.
 
“Ka disa që përdorin pushimet vjetore, disa përdorin ditët e tepërta nëse kanë ose hyjnë në ditë minus do të marrin rrogën e plotë. Disa punonjës më të rinj, do të shkojnë në 70% të pagës”, theksoi Blazheski.
 
Kapaciteti dhe numri i turistëve në këtë periudhë të vitit është shumë i ulët. Hotelierët planifikojnë të hapen në prill para festave të Pashkëve dhe fillimit të sezonit të ri veror.
 
ILMIJE ZHAKU