Botë
Athina nën borë, mbyllen shkollat dhe dyqanet
06.02.2023 12:38
Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulta kanë “ndërprerë” jetën në Athinë...

Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulta kanë “ndërprerë” jetën në Athinë. Shkollat dhe dyqanet janë të mbyllura dhe shërbimet publike dhe kompanitë janë detyruar të punojnë nga shtëpia.
Për shkak të stuhisë Barbara, e cila ka mbuluar të gjithë vendin dhe kryeqytetin grek me një shtresë bore, është ndërprerë qarkullimi në disa rrugë kryesore dhe në autostradën që lidh Athinën me pjesën qendrore të Greqisë.
Disa stacione metroje pranë aeroportit ndërkombëtar në Athinë janë gjithashtu të mbyllura, trafiku hekurudhor për në Selanik, në veri të vendit, është gjithashtu i pezulluar. Autoritetet u kërkuan njerëzve të mos udhëtojnë nëse nuk është absolutisht e nevojshme. Shumë punë kanë edhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat nxjerrin nga makinat e ngecura në borë.
Ky mot me stuhi dhe i ftohtë pritet të zgjasë deri të martën, e më pas do të vijojë lëvizjet drejt rajoneve lindore dhe jugore, përfshirë edhe ishullin e Kretës. Dëbora e madhe është një dukuri e rrallë në Athinë, por ky është dimri i tretë radhazi me mot ekstrem që godet vendin.
Një vit më parë mijëra njerëz mbetën të bllokuar në unazën kryesore të Athinës. Disa thjesht braktisën makinat e tyre dhe u nisën në këmbë në kërkim të strehimit në aeroport, ndërsa të tjerët u bllokuan për orë të tëra në temperatura nën zero.
